Sport

Boksierët kosovarë për medalje në Botërorin në Beograd, garojnë vetëm nëse trajtohen të barabartë

Do të jetë i veçantë Kampionati Botëror i boksit amator, që prej 24 tetorit deri më 6 nëntor mbahet në Beograd të Serbisë. Për herë të parë në histori të kësaj ngjarjeje do të ketë shpërblime financiare për boksierët më të suksesshëm. Do të marrin pjesë 650 boksierë, që është numër rekord sa i takon Botërorit të boksit amator.

E veçanta më e madhe, megjithatë, ka të bëjë me Kosovën. Federata e Boksit e Kosovës ka paraqitur ekipin e Kosovës për paraqitje në këtë Botëror. Janë përcaktuar boksierët, kurse janë shpalosur edhe synimet. Boksierët kosovarë në ngjarjen më të madhe të boksit amator do të synojnë medalje. Por garën për to do ta nisin vetëm nëse kanë trajtim të njëjtë si të gjithë boksierët e tjerë.

Në të vërtetë sportistët kosovarë ende nuk kanë garuar në ndonjë ngjarje të madhe ndërkombëtare që është mbajtur në Serbi. Janë gjetur mënyra nga organizatorët, por edhe nga përgjegjësit e federatave ndërkombëtare për të shmangur një gjë të tillë.

Boksierët mund të bëhen të parët.

“Deri më tani çdo gjë është në rregull. Në fillim të javës më ka thirrur delegati kryesor i Kampionatit Botëror dhe më ka pyetur për dhoma. Dhomat për delegacionin tonë janë siguruar dhe besoj se gjithçka do të jetë e barabartë. Pra presim trajtim të barabartë me të gjitha shtetet, me të gjitha përfaqësueset. Përndryshe, ne nuk do të marrim pjesë”, ka thënë të enjten për KOHËN, Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.

Ai do të jetë në krye të delegacionit, që pas disa ditësh pritet të marrë rrugë për në Beograd. Për të garuar në ngjarjen kryesore botërore janë paraqitur Bashkim Bajoku në kategorinë deri 54 kilogramë, Shpëtim Bajoku në kategorinë deri 63.5 kilogramë dhe Patriot Behrami në kategorinë deri 71 kilogramë. Në delegacion është edhe selektori Besim Brahimi.

“Nëse diçka nuk është e barabartë, pra nëse ka trajtim ndryshe për përfaqësuesen e Kosovës, ne tërhiqemi. Ne jemi në AIBA të pranuara me të drejta të plota, pra si të gjitha shtetet e botës”, ka shtuar Demolli. Ai ka treguar se ekipi për Botëror është lajmëruar një muaj më parë dhe deri më tani çdo gjë ka shkuar në rregull. Sipas Demollit, nuk ka pasur shenja të ndonjë diskriminimi ndaj ekipit të Kosovës.

Ka pasur përpjekje për të garuar në territorin e Serbisë të përfaqësueseve dhe ekipeve sportive nga Kosova. Kështu hendbollistet e reja (U19) të Kosovës në mars të vitit 2018 u vendosën në Kovilovo, në afërsi të Beogradit, ku është dashur të zhvillojnë ndeshjet kualifikuese për Botëror me Serbinë, Sllovakinë e Norvegjinë. Hendbollistet e reja zhvilluan një stërvitje atje, por më pas pati protesta të tifozëve e qytetarëve serbë, si në afërsi të Qendrës Sportive ashtu edhe në Beograd. Kështu autoritetet serbe ndaluan hyrjen në palestër për përfaqësuesen e Kosovës dhe kjo solli anulimin e garës. Serbia u dënua më pas nga EHF-ja. Ka pasur forca të mëdha të sigurisë që kanë përcjellë ekipin e Kosovës gjatë tërë rrugës nëpër Serbi. Po ashtu qindra pjesëtarë të sigurisë ishin rreth Qendrës Sportive në Kovilovo. Kështu hendbollistet e reja janë sportistet e vetme që prezantojnë Kosovën, e që kanë stërvitur në territorin e Serbisë.

Në maj të vitit 2018 ishin karateistët kosovarë që provuan të hynin në Serbi për të marrë pjesë në një Evropian të mbajtur në Novi-Sad. Por dy tentimet e tyre për të hyrë në Serbi ishin të pasuksesshme.

Në hendboll në të kaluarën ka pasur përballje të ekipeve nga Kosova e Serbia, por edhe të përfaqësueseve. Por vetëm në vende të treta, jo në Kosovë e Serbi.

Ndërkohë në futboll nuk lejohen përballjet e Kosovës dhe Serbisë. Kjo praktikë është zgjeruar edhe në sportet e tjera, basketboll, hendboll e volejboll.

Edhe në sportet individuale deri më tani janë shmangur pjesëmarrjet e sportistëve kosovarë në ngjarjet e mbajtura në territorin e Serbisë. Në atletikë, për shembull, Kosova merr pjesë në të gjitha kampionatet ballkanike, pos atyre që mbahen në Serbi. Nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar se pse ndodh kjo, por ka vlerësime se ka një marrëveshje në parim që kosovarët të mos garojnë në Serbi, e po ashtu që sportistët e Serbisë të mos garojnë në Kosovë.

Kështu boksierët mund të jenë të parët. Në një takim me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, drejtuesit e FBOXK kanë thënë se janë optimistë që nga kampionati në Beograd do të kthehen me medalje.

Fitimi eventual i medaljeve do të mund të sillte komplikime shtesë, nëse organizatorët kanë paraparë intonimin e himneve dhe ngritjen e flamujve për medalistët.

KOHA i ka shkruar AIBA-s (Federatës Ndërkombëtare të Boksit Amator) lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Botërorin në Beograd. Deri të enjten mbrëma nuk ka marrë përgjigje.

AIBA ka njoftuar se boksierë nga 105 vende do të marrin pjesë në Botërorin e 21-të të boksit amator. Numri prej 650 boksierëve të paraqitur është rekord në histori të turneut. AIBA nuk ka paraqitur emrat e vendeve pjesëmarrëse. Për herë të parë garuesit do të garojnë në 13 kategori të ndryshme. Fondi shpërblyes i gjithë garës do të jetë 2,6 milionë dollarë. Fituesit e medaljeve të arta në secilën kategori do të marrin nga 100 mijë dollarë. Për medalje të argjendtë shpërblimi është 50 mijë dollarë, ndërsa për të bronztën nga 25 mijë dollarë.

Boksi amator është në kërkim të famës dhe rejtingut që e kishte dikur. Dhe ndryshimet në organizim vlerësohet se do ta bëjnë interesant garën në Beograd.

“Besoj se ky Kampionat Botëror do të fillojë kapitull të ri në histori të AIBA-s. Kemi numër rekord pjesëmarrësish që garojnë në 13 kategori, që është shenjë e fuqisë së boksit dhe zhvillimit global të tij. Sportistëve tanë u ofrojmë mundësitë më të mira për të pasur sukses dhe do të bëjmë çdo gjë për të garantuar gjasa të barabarta dhe luftëra korrekte për të gjithë pjesëmarrësit. Mezi pres të fillojë kampionati në Beograd”, ka thënë presidenti i AIBA-s, Umar Kremlev.