Sport

Ismajli thotë se Shqipërisë i mungoi fati ndaj Polonisë

Descriptive Text

Qendërmbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli ka pranuar dëshpërimin e madh pas humbjes nga Polonia me rezultatin 1:0 në Tiranë.

Ismajli ka insistuar se Shqipërisë i mungoi fati në këtë ndeshje për të cilën thotë se ka mundur ta fitojë. Megjithatë, ai ka thënë se është i kënaqur me paraqitjen e ekipit në përgjithësi.

“Së pari falënderoj shikuesit për atmosferën e mirë. Besoj që kemi bërë një ndeshje tepër të mirë, por fati nuk ishte në anën tonë. Ishte një shpërqendrim i yni dhe pranuam golin, kështu e ka futbollit. Megjithatë, ne kemi bërë një paraqitje fantastike dhe kemi paralajmëruar se jemi një ekip shumë i fortë. E kemi mbajtur si ekip shumë mirë Lewandowskin, që nuk ishte lehtë por kjo është ajo”, është shprehur Ismajli. “Pengu i vetëm është që patëm mundësinë ta fitojmë ndeshjen por nuk ia dolëm. Ne u futëm ta fitojmë ndeshjen, patëm shumë raste të mira. Por, kur nuk shfrytëzon rastet, atëherë është normale që pësosh. Është vërejtur shumë mungesa e Beratit por edhe ne që luajtëm ndaj Polonisë, mendoj se patëm një paraqitje të mirë”.