Sport

Elton Krasniqi, “autori” i fitores së madhe të Kosovës U17

Descriptive Text

Shënoi golin e vetëm dhe të fitores për Kosovën U17 kundër Austrisë U17. Ndeshja i takoi kualifikimeve të Evropianit 2022 dhe u zhvillua të mërkurën në Traiskirchen të Austrisë. Ky, megjithatë, nuk është goli i parë me fanellën e “Dardanëve”. Ka shënuar gola edhe për Kosovën U15. Vlen të veçohet turneu në Shqipëri i organizuar nga UEFA dhe FIFA, ku kishte realizuar shtatë gola në tri ndeshje dhe ishte shpallur më i miri.

Bëhet fjalë për Elton Krasniqin nga Damaneku i Malishevës. 16-vjeçari, që karrierën e ka nisur në Malishevë, por si lojtar është zhvilluar te 2 Korriku në Prishtinë, nga vera e këtij viti është pjesë e akademisë së Hannoverit të Gjermanisë.

Krasniqi ndihet krenar që ka shënuar golin e fitores për vendin e tij. Por, thotë se më e rëndësishme është që ka fituar Kosova.

“Ishte shumë e rëndësishme të fitojmë dhe ia dolëm. Shënova golin e fitores, por meritat i ka krejt skuadra. Normalisht që jam shumë i kënaqur që shënova gol dhe ai gol ia siguroi tri pikë Kosovës. Shpresoj që të vazhdojë me formë të mirë edhe në dy ndeshjet tjera që do t’i kemi. E rëndësishme është që të fitojë Kosova. Nuk ka rëndësi kush shënon”, u shpreh Krasniqi për KOHËN, të enjten.

Sipas Elton Krasniqit, deri te triumfi ndaj Austrisë U17 ka ardhur falë angazhimit të të gjithë lojtarëve. Meritat për golin, Krasniqi ua lë bashkëlojtarëve.

“Kemi luajtur shumë mirë të gjithë, e kemi përkrahur njëri-tjetrin dhe ia dolëm të fitojmë ndeshjen e parë kualifikuese për Evropian. Ka rëndësi të madhe që të fillojmë me fitore ndaj një kundërshtari të fortë. Kjo fitore na motivon shumë për dy ndeshjet e radhës”, deklaroi sulmuesi 16-vjeçar.

Gjasat e Kosovës për kualifikim tutje janë rritur shumë. Dy përfaqësueset e para nga secili grup kualifikohen në raundin elitë. Po ashtu, katër ekipet më të mira të vendeve të treta nga 13 grupe gjithsej kualifikohen në raundin elitë.

Për këtë janë të njoftuar edhe futbollistët e Kosovës. Krasniqi thotë gjasat janë të mëdha, por kërkon angazhim edhe në dy ndeshjet e radhës.

“Ky triumf i ka rritur gjasat tona që të kualifikohemi në raundin elitë. Ne besojmë se mund të kualifikohemi tutje, por duhet që këtë ta dëshmojmë në fushë. Sigurisht angazhimi i të gjithëve do të jetë i madh. I kemi edhe dy ndeshje dhe nuk do të jenë të lehta”, shtoi sulmuesi i Kosovës U17 dhe Hannoverit U17. “Synimi është gjithmonë Përfaqësuesja A e Kosovës. Shpresoj që një ditë do të luaj për Përfaqësuesen A. Kjo është një ëndërr e imja”.

Kosova do ta luajë të shtunën ndeshjen e dytë të raundit kualifikues, kundër Sllovenisë. Ndërkaq, takimin e fundit “Dardanët” e rinj e zhvillojnë ndaj Ishujve Faroe më 12 tetor. Sllovenia të mërkurën fitoi 8:0 ndaj Ishujve Faroe.

Krasniqi flet edhe për formën e mirë që po kalon tek ekipi gjerman, Hannover. Ai e di se për të arritur sa më lart duhet punë serioze, të cilën po mundohet ta bëjë.

“Në Gjermani po kaloj formë të mirë te Hannoveri U17. Kam shënuar gjashtë gola në gjashtë ndeshje deri më tani. Jam shumë i lumtur me atë që kam treguar deri më tani, por sigurisht duhet punë e madhe për të arritur sa më lart dhe pse jo një ditë në ekipin e parë të Hannoverit, e pastaj edhe më lart. Me punë arrihet gjithçka dhe shpresoj që të kem fat gjatë karrierës sime”, theksoi Krasniqi.

Ai ka pasur paraqitje të mira me Kosovën 15 edhe në një turne të mbajtur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2019. Ishte shpallur më i miri i turneut dhe me golin e tij Kosova kishte triumfuar në finale.

Elton Krasniqi menaxhohet nga Altin Lala. Ishte pikërisht legjenda e Shqipërisë që e dërgoi në Gjermani te Hannoveri. Në futbollin e Kosovës, Krasniqi ka fituar të gjithë titujt e grup-moshave të reja me 2 Korrikun. Ka qenë edhe lojtari më i mirë i regjionit të Prishtinës. Luan me të dyja këmbët, ndërsa veçohet për driblime dhe goditje nga distanca.