Sport

Hysaj e Cikalleshi të bindur në fitore ndaj Hungarisë, por edhe Polonisë

Përfaqësuesja e Shqipërisë ka vazhduar me përgatitjet intensive për dy ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, me Hungarinë dhe Poloninë. Megjithatë, fokusi është te dueli me Hungarinë që zhvillohet të shtunën në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest dhe i takon Grupit I kualifikues. Mbrojtësi Elseid Hysaj në konferencën për shtyp të enjten ka thënë se Shqipëria do të udhëtojë drejt Budapestit për fitore. E fitore Hysaj pret edhe në ndeshjen kundër Polonisë që zhvillohet të martën e ardhshme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Por Hysaj shtoi se fillimisht Shqipëria është e fokusuar te tri pikët ndaj Hungarisë. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Elbasan, Shqipëria triumfoi 1:0 ndaj hungarezëve.

“Skuadra është e gatshme për këtë ndeshje, të cilën e kemi analizuar mirë dhe jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për ta fituar. Ne duhet të shkojmë në Hungari, ta fitojmë ndeshjen atje dhe pastaj të mendojmë mirë për Poloninë. Është me rëndësi që Hungarinë e kemi studiuar mirë dhe jemi gati ta dëshmojmë formën e mirë që e kemi pasur kohët e fundit”, ka thënë Hysaj, që është pjesë e ekipit nga Serie A, Lazio. “Ne shkojmë për gjashtë pikë në këto dy ndeshje, sepse kemi lojtarë të mirë në grup. Jemi të motivuar dhe i kemi të gjitha mundësitë për të fituar”.

Edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi është shprehur optimist para ndeshjes me Hungarinë, ndërsa ka shtuar se me këtë triumf do të ishte më e lehtë fitorja ndaj Polonisë. Madje për këtë përballje Hysaj thotë se Shqipëria do ta ketë edhe përkrahjen e publikut në tribuna që, sipas tij, do të jetë më se i nevojshëm ndaj një kundërshtari që i mposhti muajin e shkuar me rezultatin 4:1.

“Kur luajmë në udhëtim nuk është e thënë të shkojmë vetëm për tri pikë, sepse në futboll janë të mundshme të gjitha rezultatet. Por duke parë momentin dhe formën tonë, mendoj dhe më vjen mirë që ne mendojmë të shkojmë në Hungari për ta fituar ndeshjen dhe jam i bindur për këtë”, është shprehur Cikalleshi. “Do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë pasi me këtë fitore do të mundim më lehtë Poloninë me ndihmën e tifozëve tanë që do të jenë të pranishëm në tribuna”.

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura në këto eliminatore, Shqipëria është e dyta në grup me 12 pikë, pozitë kjo që në fund garanton plejofin për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Shqipëria e lë pas vetes në grup Poloninë (12), Hungarinë (10), Andorrën (3) dhe San Marinon (0). Ndërsa, në krye të Grupit I është Anglia me 16 pikë të mbledhura.