Sport

Guardiola thotë se Kloppi e bëri trajner më të mirë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka pranuar se rivaliteti me homologun e tij te Liverpooli, Juergen Klopp, përfundimisht e ka bërë “trajner më të mirë”. Këto fjalë Guardiola i ka thënë të premten, dy ditë para përballjes së Cityt me Liverpoolin.

Ndeshja mes Liverpoolit dhe Cityt zhvillohet të dielën në stadiumin “Anfield Road” dhe i takon xhiros së shtatë në Premier League. Aktualisht Liverpooli është lider në tabelë me 14 pikë, një më shumë se kampioni në fuqi, City.

Guardiola është në krye të Cityt prej vitit 2016, ndërsa Kloppi e mori drejtimin e Liverpoolit një vit më herët. Në fakt, Guardiola ishte përballur me Kloppin edhe në Bundesligë, kur spanjolli ishte në krye të Bayernit e gjermani e udhëhiqte Borussia Dortmundin.

Guardiola i ka humbur tetë ndeshje përballë Kloppit, më shumë se ndaj çdo trajneri tjetër. Ky rivalitet mes dy trajnerëve nisi në Bundesligë në vitin 2013 dhe zgjati deri në vitin 2015, për të vazhduar një vit më vonë në Premier League.

“Prej se kam ardhur te City, ndoshta jo në vitin e parë, Liverpooli gjithmonë ka qenë aty duke luftuar për titullin e kampionit”, ka pranuar Guardiola. “Skuadrat e Juergen Kloppit më kanë ndihmuar të bëhem trajner më i mirë. Kloppi me ka ngritur në një nivel tjetër, pra ta dëshmoj veten, të jem trajner i mirë. Kjo edhe është arsyeja që unë ende jam në këtë punë, falë Kloppit. Në katër vjetët e fundit tërë kohën kemi qenë këtu dhe jemi përballur. Kështu që ky është një kompliment për dy ekipet tona”.

City i Guardiolas në këtë takim futet pas humbjes në mesjavë nga Paris Saint-Germaini, 2:0, në kuadër të Ligës së Kampionëve. Ndërsa vikendin e shkuar, City e mposhti 1:0 në Premier League skuadrën e Chelseat, kampionen në fuqi të Evropës.

“Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë për shkak se Liverpooli pothuajse është i pamposhtur në shtëpi”, pranoi Guardiola.

Liverpooli është kundërshtar tejet i vështirë kur luan si vendas. Prej prillit të vitit 2017 deri në janar të këtij viti, ishte i pamposhtur në stadiumin “Anfield Road” në 68 ndeshje kampionale. Triumfi i Cityt sezonin e shkuar në udhëtim te Liverpooli, 4:1, ishte i pari pas 18 vjetësh. Ai takim u zhvillua pa praninë e tifozëve për shkak të masave anti-COVID të Qeverisë britanike.

“Jam shumë i lumtur që Anfieldi do të jetë i mbushur sërish. Mund ta shijojmë një atmosferë të zjarrtë dhe shpresoj ta përballojmë si ekip, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë”, pranoi Guardiola.

Trajneri i Liverpoolit, Klopp, ende e ka të freskët humbjen e sezonit të kaluar dhe ka insistuar se City për të mbetet skuadra më e fortë në Evropë. Megjithatë, Kloppi ka thënë se Liverpooli jo vetëm që duhet ta fitojë këtë ndeshje, por duhet të shënojë edhe shumë gola.

“City sipas të gjitha gjasave është ekipi më i mirë në Evropë për momentin dhe këtë e dëshmoi me fitoren ndaj Chelseat javën e shkuar. Kështu që duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj një ekipi fantastik, me një trajner shumë të mirë”, tha Klopp. “Duhet ta fitojmë ndeshjen dhe të shënojmë shumë gola, por në të njëjtën kohë të jemi të fortë në mbrojtje dhe të sigurohemi se golat që i shënojmë do ta bëjnë dallimin në këtë takim”, është shprehur Klopp.