Sport

Pas barazimit me Bjellorusinë, promovimi i Kosovës U-17 varet nga ndeshja me Luksemburgun

Futbollistet e Kosovës U-17 kanë marrë pikë edhe në ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2022. Të hënën mbrëma, në Bissen të Luksemburgut, Kosova U-17 luajti 1:1 me Bjellorusinë. Bjelloruset kaluan në epërsi në minutën e tetë, ndërsa Kosova U-17 barazoi shifrat në minutën e 71-të. Aurora Racaj shënoi golin që i solli një pikë Kosovës e që mund të jetë vendimtare në fund.

Kosova vazhdon të jetë e para në grupin 1 të Ligës B të fazës së parë kualifikuese. Kualifikimet janë të ndara në dy liga që kanë nga disa grupe. Me sukses mund të kalohet prej Ligës B në Ligën A për fazën e dytë kualifikuese. Ky edhe është synimi i Kosovës U-17.

Kosova tri ditë më parë shkeli Gjeorgjinë, duke e mposhtur 13:0. Të njëjtën ditë, Bjellorusia fitoi 2:0 ndaj Luksemburgut.

Të hënën, Luksemburgu fitoi 10:0 ndaj Gjeorgjisë. Falë goldallimit më të mirë në grup udhëheq Kosova me 4 pikë, sa i ka edhe Bjellorusia në vend të dytë. Luksemburgu është i treti me tri pikë, ndërsa Gjeorgjia e fundit, pa pikë.

Pra, gara në grupin e parë të Ligës B do të vendoset në ndeshjet e fundit që janë më 30 shtator. Prej orës 18:00 takohet Luksemburgu me Kosovën dhe Gjeorgjia me Bjellorusinë. Bjellorusia është favorite e madhe ndaj Gjeorgjisë. Kështu që Kosovës i mbetet të fitojë ndaj Luksemburgut për të avancuar. Renditja në grup do të varet prej dy ndeshjeve. Vendi i parë në grup siguron promovimin në Ligën A për fazën e dytë kualifikuese. Pos gjashtë fituesve të grupeve të Ligës B, promovohet edhe përfaqësuesja me bilancin më të mirë në vendin e dytë.

Edhe faza e dytë kualifikuese zhvillohet në dy liga. Por vetëm prej Ligës A është i mundur kualifikimi në Evropian.

Edhe ndaj Bjellorusisë, Kosova ka dominuar për nga rastet e krijuara, sipas të dhënave zyrtare të UEFA-s. Futbollistet e reja të Kosovës kishin 24 raste për gol. Kishin 11 goditje në drejtim të portës, 11 goditje të pasakta dhe dy të bllokuara. Ndërkohë, bjelloruset kishin shtatë goditje të sakta, gjashtë të pasakta dhe katër të bllokuara.

Fitorja 13:0 e Kosovës U-17 është më e thella që ndonjë përfaqësuese apo ekip i vendit ka shënuar në gara zyrtare ndërkombëtare të futbollit.