Sport

Marku thotë se e kanë përkrahur 4000 shqiptarë në stadium

Descriptive Text

Florian Marku vazhdon të jetë prej boksierëve më të famshëm shqiptarë, nëse jo më i famshmi, ndonëse nuk ka ndonjë sukses të madh në karrierën e deritashme në profesionalizëm.

28-vjeçari të shtunën mbrëma boksoi në mbrëmje e Anthony Joshuas, në stadiumin e Tottenhamit në Londër. Ai e mposhti boksierin me shtetësi të Rumanisë, Maxim Prodan.

Bilanci i Markut, që është nga Lushnja, është nëntë fitore e një barazim. Gjashtë prej fitoreve i ka me ndërprerje.

Maxim Prodan, i lindur në Ukrainë, ka bilanc prej 19 fitoresh, një humbje e një barazim. Pra, Marku ia ka shkaktuar humbjen e parë.

“Ai e kishte mbajtur titullin për tre vjet rresht dhe më kishte nënvlerësuar. Në ndeshje kam mbajtur qetësinë. Nuk jam treguar shumë agresiv, mbajta distancën. Plani ynë ka qenë ta mbaj kundërshtarin në distancë. Këtë lloj loje kemi zgjedhur”, ka thënë Marku të dielën për RTV Ora të Shqipërisë.

“Në stadium kishte shumë shqiptarë. Mbi 4000 veta ishin shqiptarë dhe i dëgjoja teksa bërtisnin. Ndeshja ka qenë e madhe sepse ka qenë titulli im i parë. Nuk kam pritur aq shumë njerëz. Publiku kur e mbarova unë ndeshjen u largua, nuk i interesonte kush ndeshej më vonë”, ka shtuar Marku.

Në fakt, meçi kryesor ishte mes Joshuas dhe Oleksandr Usykut. Për këtë meç stadiumi ishte i stërmbushur me 60 mijë shikues.

Marku ka fituar titullin internacional në kategorinë uelter, në versionin e madh IBF. Pra, jo titull të botës por titull internacional. Shumë prej boksierëve shqiptarë kanë pasur dhe kanë tituj më të mëdhenj.

“Unë e kam nisur karrierën në Greqi, por me kikboks. Por mua më kanë quajtur gjithmonë boksieri. Prandaj kam kaluar lehtë në boks”, ka shtuar Marku, që kishte karrierë të gjatë në kikboks.