Sport

Usyk është kampioni i ri botëror në boks, mposht Joshuan

Oleksandr Usyk ka shënuar një nga befasitë më të këndshme në boks, duke fituar titujt e unifikuar botërorë IBF, WBO dhe WBA, pasi mposhti me pikë pas 12 rundeve tashmë ish-kampionin Anthony Joshua në kategorinë e peshave të rënda. 

Boksieri ukrainas e nisi furishëm meçin dhe fitoi tri rundet e para, më pas Joshua u këndell dhe ishte më i mirë në rundin e katërt dhe të pestë.

Por nga rundi i shtatë, Usyku dominoi meçin dhe fituesi në fund nuk ishte i diskutueshëm, pasi 34-vjeçari fitoi me shumicën e pikëve nga gjyqtarët.

Usyk në total ka 19 fitore, prej tyre 13 me nokaut. Ai bëhet kampioni i ri botëror në boks.

Për Joshuan, kjo është humbja e dytë në karrierë profesioniste, ndërkaq numëron edhe 24 fitore. Britaniku tani e ka mundësinë për të kërkuar rimeçin me Usykun vitin tjetër.