Sport

Astrit Selmani vetëm të mërkurën mori shtetësinë e Kosovës, në ndeshjet e shtatorit nuk e kishte të drejtën e lojës

Ka pasur shumë pyetje lidhur me mosaktivizimin e Astrit Selmanit te Kosova në ndeshjet e shtatorit. Sulmuesi 24-vjeçar ishte në stol, pra pjesë zyrtare e ekipit, në fitoren 1:0 ndaj Gjeorgjisë, më 2 shtator. Në stol qëndroi edhe në barazimin 1:1 të Kosovës me Greqinë, më 5 shtator, e po ashtu në humbjen 2:0 nga Spanja, më 8 shtator. Por në asnjërën ndeshje nuk është paraqitur për Kosovën.

Në të vërtetë Selmani as që e ka pasur të drejtën e lojës për Kosovën. Ai nuk ka pasur shtetësi të Kosovës në kohën kur janë luajtur këto ndeshje të kualifikimeve për Botërorin 2022 në futboll. Në mungesë të shtetësisë nuk ka pasur as pasaportë të Kosovës, që është e domosdoshme për të luajtur për një përfaqësuese të një shteti në ndeshje garuese.

Vetëm të mërkurën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar dhënien e shtetësisë për Astrit Selmanin, lojtarin e lindur e të rritur në Suedi. Pra, vetëm tani ai e plotëson kushtin kryesor për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës dhe për ta fituar të drejtën të luajë me Kosovën.

FFK-ja nuk ka treguar se pse Selmani nuk është aktivizuar në tri ndeshjet e shtatorit, ndonëse pritjet prej tij ishin të mëdha. Selektori Bernard Challandes është pyetur disa herë për këtë lojtar, ndërsa ka thënë se vendimi nëse ai do të aktivizohet do të jetë teknik. Por po del që Challandes, ndonëse e kishte në stol, nuk e kishte në dispozicion Selmanin.

KOHA ka pyetur FFK-në të enjten lidhur me atë se si Selmani ishte në stol të Kosovës, ndonëse ende nuk e kishte shtetësinë e Kosovës. Përgjigje nuk ka marrë ende.

Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur se dosja e Astrit Selmanit deri të martën nuk ishte e kompletuar. Dhe për këtë arsye nuk ka mundur të lëshohet shtetësia për të. Dosja e kompletuar është dorëzuar të martën dhe menjëherë të mërkurën është nënshkruar shtetësia nga presidentja Vjosa Osmani. Në Presidencë thonë se lëshimin e shtetësisë për sportistët e kanë prioritet. Por vetëm kur kompletohet dosja.

“Ju njoftojmë se presidentja Osmani këtë javë u ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës dy futbollisteve dhe dy futbollistëve, pas kërkesës së FFK-së. Lëndët e këtyre futbollisteve janë pranuar të kompletuara ditën e martë. Pra, presidentja menjëherë ka lëshuar dekretet, një ditë pas kompletimit të lëndëve dhe marrjes së përgjigjeve të nevojshme për procedurë nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KOHËN të Departamentit të Informacionit dhe Komunikimit me Publikun të Presidencës së Kosovës.

Nga janari i këtij viti e deri të enjten, presidentja ka dhënë shtetësinë për gjashtëmbëdhjetë “persona të huaj, për interes të veçantë sportiv”. Nëntë prej tyre janë të futbollit.

“Kurse sa i përket futbollistit Astrit Selmani ju njoftojmë që presidentja i ka dhënë shtetësinë edhe z. Selmani. Dosja e z. Selmani, kur është dorëzuar nga FFK-ja, ka qenë e pakompletuar. Dhe në momentin kur janë dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara me ligj, është lëshuar edhe dekreti për fitimin e shtetësisë së z. Selmani”, ka njoftuar tutje Presidenca.

Në Presidencë thonë se shtetësia për Astrit Selmanin është lëshuar në kohë rekorde, vetëm një ditë pasi dokumentacioni i kompletuar është dorëzuar në Presidencë.

“Ju informojmë se Dekreti për dhënien e shtetësisë për z. Astrit Selmani është nënshkruar më 15.09.2021. Pra, një ditë pasi që është dorëzuar (dokumentacioni)”, thuhet në përgjigje tjetër të Zyrës për komunikim të Presidencës për KOHËN, të enjten.

Si rrallë ndonjë lojtari tjetër, Astrit Selmanit i është shtyrë debutimi te Kosova. Pas shpërthimit në kampionatin e Suedisë, ai është dashur të grumbullohej me Kosovën që në muajin mars, për ndeshjet me Suedinë dhe Spanjën. Ishte ftuar, por sipas njoftimit zyrtar mbeti jashtë ekipit për shkak të infektimit me koronavirus.

“I ftuar për këtë grumbullim ka qenë edhe sulmuesi i skuadrës Hammarby IF, Astrit Selmani, por për shkak se ka rezultuar pozitiv në COVID-19 nuk ka mundësi t’i bashkohet Kombëtares”, thuhet në njoftimin e FFK-së të 16 marsit.

Selmani u grumbullua për miqësoret e qershorit ndaj San Marinos e Maltës. Ndaj San Marinos qëndroi në stol, pasi ishte grumbulluar me vonesë për shkak të angazhimit me skuadrën në Suedi. Për ndeshjen me Maltën ishte liruar për shkak të një shqetësimi shëndetësor, përkatësisht për një lëndim të lehtë.

FFK-ja e ftoi edhe për shtator, ndonëse nuk e kishte ende shtetësinë. Selmani, sulmuesi shpërthyes, tashmë e ka shtetësinë e Kosovës. Dhe ka gjasa të debutojë pikërisht ndaj Suedisë. Ndeshja Suedi – Kosovë luhet më 9 tetor në Solna. Më 12 tetor Kosova luan në shtëpi me Gjeorgjinë. Ndërsa eliminatoret për botërorin “Katari 2022” i kompleton me ndeshjen ndaj Greqisë, më 14 nëntor në Athinë.