Sport

Abazoviq pas fyerjeve nga tifozët malazez: Më vjen keq që po e përziejnë politikën dhe sportin

Dritan Abazoviq-Mali i Zi

Tifozët e Malit të Zi kanë bërë thirrje fyese ndaj zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq të martën gjatë ndeshjes eliminatore të Botërorit 2022, që Mali e Zi e luajti me Letoninë.

Në minutën e 70-të të ndeshjes nisën fyerjet e tifozëve malazez ndaj Abazoviqit. Fyerjet erdhën vetëm dy ditë, pasi që Abazoviq udhëhoqi një operacion duke e sjellë me helikopter në Cetinë, mitropolitin Joanikije, duke bërë të mundur shugurimin e tij.

Rrugët që çonin në Cetinë ishin bllokuar nga qytetarët që po protestonin.

Rreth 2000 tifozë ishin në stadium të martën për të shikuar ndeshjen mes Malit të Zi dhe Letonisë, ndeshje që përfundoi pa gola.

“Personalisht nuk kam problem. Mendoj se është mirë që njerëzit të “marrin frymë” lirshëm. Së dyti, më vjen keq që ata përziejnë politikën dhe sportin, në tribunat tona nuk ka pasur një kohë të gjatë thirrje të tilla politike. Mendoj se disa njerëz nuk e kuptojnë, se ata janë ndikuar nga disa struktura që donin të ktheheshin në pushtet. Unë me të vërtetë e kam përjetuar këtë si diçka që është ‘kul’, jo në kuptimin e fyerjes së askujt rreth orientimit seksual. Ata mund të mendojnë se do të më zemërojnë, por jo. Po të kisha qenë atje, do të këndoja me ta”, ka thënë Abazoviq për “TV Prva”.