Sport

Si u bë Diego Simeone i Atleticos mbret i La Ligas

Descriptive Text

Mund të ketë vetëm një tryezë. Vetëm një, në formë të rrumbullakët dhe duhet të jetë mjaft e madhe për të akomoduar 24 lojtarët që kanë bërë udhëtimin, që do të ulen në karrige përreth saj, shkruan ESPN. Nëse nuk ka një tryezë të madhe dhe një dhomë për të përshtatur atë, atëherë duhet të gjendet një hotel tjetër. Udhëzimet ishin të qarta, të kaluara nga Diego Simeone, trajneri i Atletico Madridit, te Tomas Renones, legjenda e klubit që merret me të gjitha gjërat e ekipit të parë dhe më pas te drejtori i hotelerisë në “Courtyard by Marriott” në Wolfsburg. Ishte vetëm një miqësore parasezonale që Atletico po luante kundër Wolfsburgut, një lojë pa vlerë për të cilën gjysma e lojtarëve të ekipit të parë kishte qëndruar në Spanjë, por kjo nuk kishte rëndësi. Qëkur mori Atleticon një dekadë më parë, Simeone, 51 vjeç, nuk ia ka lënë asgjë rastësisë. Për çdo ndeshje, nga miqësoret deri në finalet e Ligës së Kampionëve që klubi ka arritur, ai vazhdon në mënyrë identike. Ai ulet në të njëjtin vend në anën e majtë të rreshtit të parë të autobusit të ekipit, me askënd pranë vetes. Ai preferon që ato udhëtime të jenë sa më të shkurtra që është e mundur, kështu që i kërkon departamentit të tij të udhëtimit që të mos e gjejë hotelin më të rehatshëm në zonë, por njërin që është sa më afër stadiumit. Atij i pëlqen të kalojë një orë para lojës vetëm me mendimet e tij, kështu që stafi i tij punon paraprakisht për të siguruar një hapësirë ​​private për Simeonen.

“Asgjë nuk është rastësore”, thotë Simeone.

Tryeza? Kur Simeone mbërriti në Atletico, lojtarët ishin të ndarë në grupe. Ai e kuptoi se sfida me të cilën u përball – duke garuar në një kampionat kundër Barcelonës e Real Madridit – kërkonte unitet absolut. Ishte e vetmja mënyrë që Atletico, ekip që kishte fituar La Ligën vetëm një herë në më shumë se tri dekada, mund të kishte efekt. Tryeza i detyroi të gjithë të integroheshin.

“Kur ulen në tryezë, lojtarët e kanë detyrim ta shikojnë njëri-tjetrin. Ata duhet patjetër të ulen së bashku dhe të jenë së bashku”, ka shpjeguar Simeone.

Deri në edicionin 2013/14, sezoni i tij i tretë i plotë si menaxher i Atleticos, Simeone kishte krijuar një skuadër të fortë që hoqi posedimin e topit për pjesën më të madhe të secilës ndeshje, por shpesh gjeti një mënyrë për të fituar. Kjo bëri që Atletico ta fitojë titullin e kampionit në La Liga për herë të parë që nga viti 1996.

“Ne përdorëm kundërsulmin”, thotë tani Koke, kapiteni i Atleticos. “Ne u mbrojtëm në gjithë fushën dhe dominuam pa top”.

Ai u bë i njohur si stili i Atleticos - dhe i Simeones - por Simeone këmbëngul se ajo që shihet në fushë është vetëm shfaqja e dukshme e një mirëkuptimi më të thellë.

“Thelbi ynë nuk është stili i lojës, por mënyra se si e jetojmë lojën. Kur dikush i ri vjen në zhveshtoren tonë, mund të jetë e vështirë për të që të përshtatet. Dallimi nuk është talenti, por angazhimi ynë”, shtoi trajneri argjentinas.

Falë këtij përkushtimi, Atletico edhe sezonin e shkuar e përsëriti suksesin e vitit 2014 duke e fituar titullin e kampionit të Spanjës. Edhe pse kishte një ekip krejtësisht të ndryshëm, Simeone luajti në një formë tjetër me një sistem të modifikuar, por kauza nuk kishte ndryshuar.

“Gjëja më e rëndësishme në Atletico është se askush nuk mendon se është më i mirë se tjetri. Çdo lojtar ka besim në lojtarin tjetër dhe këtë kauzë në klub e ka instaluar Cholo”, thotë sulmuesi Luis Suarez duke iu referuar Simeones me nofkën e tij.

Atletico gjithmonë ka pasur yje në ekip. Simeone gjatë qëndrimit të tij në klub është mbështetur te Diego Costa, Thibaut Courtois e Antoine Griezmann. Pastaj ai i transferoi ata në klubet më të rëndësishme të futbollit për të financuar pasardhësit e tyre. Ekipi i edicionit 2021/22 përfshin Suarezin, portierin Jan Oblak dhe talentin Joao Felix. Megjithatë, fytyra e Atleticos është dhe mbetet Simeone dhe kjo nuk është rastësi.

“Cholo është përtej një trajneri. Ai ka transformuar klubin tonë në një superfuqi që mund të përballet me çdo kundërshtar. Kjo është arsyeja pse ne e vlerësojmë Simeonen shumë”, pranoi kryebashkiaku i Madridit, Jose Luis Martinez-Almeida.

Atletico e kishte parë gjithmonë veten si ekipi i njerëzve në krahasim me Realin, rivalin e madh të qytetit të Madridit. I lindur dhe rritur në Argjentinë, Simeone kishte luajtur për Atleticon nga viti 1994 deri në vitin 1997. Pasi luajti në Itali, u kthye në vitin 2003 për dy sezone të tjera. Pasi i dha fund karrierës si lojtar aktiv, Simeone menaxhoi katër klube argjentinase me rezultate të përziera. Ai kaloi gjashtë muaj duke u përpjekur të mbante Catanian në Serie A, pastaj u kthye përsëri në Argjentinë për të marrë drejtimin e Racingut në qershor të vitit 2011. Atletico rrezikoi kur e angazhoi Simeonen në dhjetor të atij viti. Pronari i klubit, Miguel Angel Gil, këtë e kuptoi kur filloi të thërriste punëdhënësit e tij të mëparshëm. Simeone e kishte udhëhequr River Platen e Argjentinës drejt titullit në vitin 2007, por sezonin tjetër klubi gati sa nuk ra nga liga.

“Presidenti i Riverit foli për të shumë keq. Në Itali ata folën për të në të njëjtën mënyrë”, kujton Gill.

Të gjithë e paralajmëruan Gilin që të qëndronte larg argjentinasit, por ai vazhdimisht e kujtonte përkushtimin e Simeones që e kishte shfaqur si kapiten i Atleticos dhe e angazhoi.

“Ai atëherë ishte trajner i ekipit në fushë. Ishte një lider i vërtetë”, thotë Gil.

Vetë Simeone e pranon se nuk e kishte përvojën për të udhëhequr një klub të madh dhe me ambicie si Atletico, por thotë se pronari Gil pa tek ai diçka më shumë se të tjerët. Kur Simeone mori drejtimin e klubit, Atletico ishte në pozitën e dhjetë në La Liga dhe ishte eliminuar nga Kupa e Mbretit. Gjatë 3500 ditëve të çuditshme që pasuan, një hapësirë ​​në të cilën Real Madridi ka ndryshuar trajnerët tetë herë, Simeone fitoi 317 ndeshje, barazoi 121 dhe humbi 89. Dy nga ato humbje ishin finalet e Ligës së Kampionëve (2014, 2016), të dyja nga Real Madridi. Arritja e Atleticos dy herë në finale brenda tri vjetëve e ngriti profilin e klubit.

“Tani të mirët duan të vijnë këtu dhe jo si më përpara të shkojnë vetëm te Barcelona e Reali”, mburret Simeone.

Ndërsa kalon një dekadë si trajner i Atleticos, situata e Simeones duket ideale. Nuk është vetëm paga e tij vjetore prej 30 milionë dollarëve (plus bonuset) që e bën atë trajnerin më të paguar në botë, por asnjë trajner nuk ka përkrahje më të fuqishme nga klubi. Ai ka kontratë deri në vitin 2024.

“Klubet e tjera pas pesë humbjeve e ndërrojnë trajnerin, pasi mbrojnë lojtarët. Në Atletico trajneri është i mbrojtur. Lojtarët duhet të adaptohen ose të largohen”, thotë braziliani Filipe Luis, që ka luajtur për Atleticon nga viti 2015 deri në vitin 2019.