Sport

Barcelona kërkon edhe fitoren e dytë pa Messin pas startit të fortë

Barcelona përballet me Athletic Bilbaon të shtunën, në ndeshjen e parë në udhëtim që nga largimi i Lionel Messit, me shpresën se do të vazhdojë me fitore pas nisjes premtuese të edicionit të ri në La Liga, fundjavën e kaluar. Ngjashëm si Barcelona, edhe Real Madridi e Atletico Madridi do të kërkojnë fitoret e dyta në xhiron e dytë të kampionatit spanjoll. Dueli mes Bilbaos e Barçës nis prej orës 22:00. Barça e trajnerit Ronald Koeman mundi Real Sociedadin 4:2 fundjavën e kaluar, pavarësisht largimit të Messit, i cili u transferua te Paris Saint-Germaini si lojtar i lirë. Katalonjasit janë ende pa sulmuesin e krahut, Ousmane Dembele, dhe sulmuesin Sergio Aguero, ndërsa po synojnë rindërtimin e ekipit, pavarësisht problemeve me borxhe. Koeman fitoi trofeun e tij të parë të madh si trajner i Barcelonës sezonin e kaluar kur e mposhti Bilbaon 4:0 në finalen e Kupës së Mbretit, në të cilën Messi shënoi dy herë. Martin Braithwaite zëvendësoi Messin javën e shkuar dhe shënoi një gol, ndërsa Memphis Depay bëri përshtypje në debutimin e tij.

“Ne nuk kemi më vetëm një lojtar që mund ta vendosë fatin e ndeshjeve, pasi tani do të fokusohemi në forcën kolektive. Pas fitores në ndeshjen e parë, jemi edhe më të vendosur për të vazhduar me të njëjtin ritëm, ndonëse sërish përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë”, tha Koeman për Bilbaon, që në ndeshjen e parë luajti baras.

Njëri prej lojtarëve që te Barcelona po shpresojnë të shpërthejë në këtë sezon, është mesfushori nga Brazili, Philippe Coutinho. Coutinhos i është besuar fanella me numrin dhjetë, të cilën e ka mbajtur argjentinasi Messi. Coutinho mungoi në ndeshjen e parë dhe nuk do të luajë as kundër Bilbaos për shkak se nuk është rikuperuar nga lëndimi. Mirëpo, Koeman ka insistuar se llogarit shumë në brazilianin që, sipas tij, do të mbetet në “Camp Nou” të paktën edhe këtë edicion. Krahas Coutinhos, Barçës ndaj Bilbaos, ka gjasa të mëdha t’i mungojë edhe qendërmbrojtësi Gerard Pique.

“Coutinhos i duhet edhe një javë për t’u kthyer në fushë. Ai është në planet e mia, sepse është një lojtar fantastik. Coutinho mund të luajë në disa pozita dhe mund ta mbulojë boshllëkun e lënë nga Messi”, ka insistuar Koeman.

Real Madridi të premten e konfirmoi vazhdimin e kontratës me sulmuesin Karim Benzema deri në vitin 2023, ndërsa njëkohësisht e shiti mesfushorin Martin Odeegard tek Arsenali për 30 milionë funte. Javën e shkuar, Reali e nisi La Ligan me fitore 4:1 në udhëtim ndaj Alavesit, kurse edhe në xhiron e dytë do të luajë si mysafir. Do të përballet me skuadrën e Levantes, të dielën prej orës 22:00.

Edhe në këtë ndeshje, austriaku David Alaba pritet të luajë si mbrojtës i krahut të majtë për shkak se Marcelo dhe Ferland Mendy ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga lëndimet. Trajneri Carlo Ancelotti nuk do të mund të llogaritë as në mesfushorët Toni Kross e Luka Modriq, gjithashtu. Ndërkohë, edhe kampioni në fuqi, Atletico Madridi, synon fitoren e dytë rresht. Pas triumfit 2:1 në udhëtim ndaj Celta Vigos, skuadra e Atleticos e pret në shtëpi Elchen. Në këtë ndeshje, prej minutës së parë, pritet të luajë sulmuesi Luis Suarez që fundjavën e shkuar ishte në bankën e rezervistëve.

“Synimi ynë edhe para fillimit të këtij edicioni është ta mbrojmë titullin e kampionit. Dhe, në çdo ndeshje do të futemi për të fituar”, ka paralajmëruar mesfushori i Atleticos, Marcos Llorente.