Sport

Pa Messin, Griezmanni e ka rastin të shkëlqejë te Barcelona

Derisa Barcelona po vazhdon të përshtatet me jetën pa Lionel Messin, Antoine Griezmann e ka rastin më të mirë për ta marrë rolin e liderit tek ekipi nga La Liga. Griezmann do të bëjë paraqitjen e tij të 101-të me Barcelonën ndaj Athletic Bilbaos në xhiron e dytë të kampionatit spanjoll të shtunën. Sulmuesi francez më në fund e ka mundësinë të jetë në qendër të vëmendjes dhe të bëhet protagonist te Barça në mungesë të Messit.

“Shpresoj të luaj edhe 100 ndeshje të tjera dhe të vazhdoj të jap gjithçka për ta shkruar historinë me këtë klub”, tha Griezmann. “Unë dua të vazhdoj ta ndihmoj ekipin si brenda, ashtu edhe jashtë fushës, në sulm dhe mbrojtje, dhe të kënaqem duke qenë te Barça”.

Ai pati disa paraqitje kryesore te Barcelona, ndërsa Messi ishte ende në ekip, por Griezmann kurrë nuk i ka përmbushur plotësisht pritjet e mëdha që erdhën kur ai u transferua nga Atletico Madridi për 120 milionë euro në vitin 2019, një vit pasi ai ishte njeriu i ndeshjes në finalen e Kampionatit Botëror të fituar nga Franca. Griezmann, 30-vjeçar, që ka shënuar 35 gola për Barcelonën, ka luajtur një rol dytësor në ekip edhe kur ishte Luis Suarez, që vitin e shkuar iu bashkua Atleticos. Gjithashtu, francezi ka pasur rol dytësor edhe përballë të rinjve si Ousmane Dembele e Ansu Fati. Ndonjëherë, ai nuk ishte as titullar i rregullt dhe kishte disa minuta duke u aktivizuar nga banka e rezervistëve. Tani, Griezmann ka konkurrencën e transferimit më të madh të Barcelonës gjatë kësaj vere, holandezit Memphis Depay, por trajneri Ronald Koeman tashmë ka lënë të kuptohet se ata nuk do të luftojnë kundër njëri-tjetrit për një vend titullari. Koeman ka thënë se po “i pëlqen lidhja” mes Griezmannit dhe Depayt. Të dy luajtën mirë në fitoren 4:2 kundër Real Sociedad, që e shënoi fillimin e sezonit të parë të Barcelonës pa Messin pas 17 vjetësh. Ylli argjentinas u bashkua me Paris Saint-Germainin si lojtar i lirë, pasi Barcelona nuk kishte mundësi ta mbante Messin në ekip për shkak të vështirësive të mëdha financiare. Sulmuesit e tjerë për Barcelonën këtë sezon janë edhe Sergio Aguero e Martin Braithwaite, i cili shënoi dy herë kundër Sociedadit. Aguero është i lënduar dhe nuk do të mund të debutojë deri në muajin tetor.

“Ishte shumë e rëndësishme ta nisnim sezonin me fitore”, tha Griezmann, i cili është 14 gola larg barazimit të rekordit të Thierry Henry si francezi me më së shumti gola në klub. “Ishte një lojë e mirë dhe shpresojmë se tani mund të marrim një fitore tjetër kundër Bilbaos”.

Barcelona ka fituar 12 nga 15 ndeshjet e fundit në ligë kundër Bilbaos, që e nisi sezonin e ri me barazim pa gola ndaj Elches të hënën. Real Madridi gjithashtu do të llogarisë në një sulmues francez kur të përpiqet ta shënojë edhe fitoren e dytë këtë edicion, pasi të dielën viziton Levanten. Karim Benzema, golashënuesi më i mirë i skuadrës sezonin e kaluar, shënoi dy gola në fitoren 4:1 të Realit ndaj Alavesit vikendin e shkuar. Trajneri i ri, Carlo Ancelotti, gjithashtu pa një paraqitje të mirë nga Eden Hazard, i cili luftoi me dëmtimet gjatë gjithë sezonit të kaluar. Atij do t’i mungojnë akoma disa lojtarë, përfshirë të lënduarit Marcelo dhe Toni Kroos. Levante ishte skuadra e fundit që mundi Madridin në ligë, duke fituar 2:1 në kryeqytetin spanjoll në janar të këtij viti. Reali i ka fituar vetëm dy nga katër ndeshjet e fundit në La Liga kundër Levantes. Kampioni në fuqi, Atletico Madrid, po ashtu e fitoi ndeshjen e parë 2:1 në Celta Vigo dhe tani e pret Elchen në stadiumin “Wanda Metropolitano”, që pritet t’i ketë 20 mijë tifozë në tribuna, pasi autoritetet shëndetësore spanjolle lejuan ligën të rifillojë me deri në 40 për qind të kapacitetit të stadiumeve. Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, mund të ketë probleme në mbrojtje për shkak se ka disa lojtarë të lënduar, ndërsa Mario Hermoso u ndëshkua me të kuq në ndeshjen kundër Celtas. Luis Suarez, golashënuesi më i mirë i Atleticos sezonin e kaluar, ishte rezervist në ndeshjen e parë, por ndaj Elches do të jetë titullar.