Sport

Laporta thotë se klubi është mbi lojtarët

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta të premten në konferencën për shtyp ka folur në lidhje me çështjen e Lionel Messit, pasi argjentinasi nuk do të jetë më pjesë e klubit.

Barcelona, të enjten mbrëma shokoi botën e futbollit kur njoftoi për largimin e Messit.

Në njoftim thuhej se marrëveshja mes palëve ishte arritur për kontratën e re, por qëndrimi i Messit në klub ishte i pamundur për shkak të pengesave financiare dhe strukturore të vendosura nga La Liga.

Laporta në konferencën ka thënë se klubi nuk ka negociuar vetëm me Messin, por edhe me La Ligan, që sipas tij kishte rol vendimtar në vendimin e për shkak të situatës financiare. “Marrëveshja me Messin do ta kishte vënë klubin në rrezik të madh pas auditimit.

Klubi është mbi lojtarët, trajnerët dhe menaxherët”, ka insistuar Laporta. “Rregulli i ferplejit financiar nuk na lejoi që të nënshkruajmë kontratën e dakorduar me Messin”.

Ai ka shtuar se edhe pa Messin, klubi është në probleme të madhe financiare.

“Nuk mund t'ju them saktësisht se sa, por edhe pa kontratën e Leos në buxhetin e pagave për kontratën e ardhshme ne tejkalojmë kufirin e përcaktuar nga La Liga.

Është krejt e qartë se udhëheqja e ligës donte që Messi të qëndronte këtu, por është gjithashtu është e qartë se ne duhej të respektonim rregullat.

Është shumë e thjeshtë dhe shumë e dhimbshme. Mënyra e vetme ishte largimi i një pjesë e të drejtave televizive për ligën për 50 vitet e ardhshme, dhe unë nuk doja ta pranoja këtë. Është vendimi im”, shtoi Laporta.

Ai ka zbuluar se personalisht e kishte njoftuar Messin në fillim të kësaj jave për situatën.

Madje, ka insistuar se nuk ndihet tradhtar, përkundër premtimeve se do ta mbante Messin në ekip, të cilit i skadoi kontrata më 30 qershor.

“Unë fola me Leon dy ditë më parë dhe ia shpjegova situatën. Fola edhe me babanë e tij dje, të cilit gjithashtu i shpjegova gjithçka. Negociatat kanë qenë shumë intensive gjatë dy m uajve të fundit, por duhet t’i përgëzoj të gjithë për profesionalizmin e tyre. Negociatat me Messin tashmë kanë marrë fund, dhe ai është në kërkim të opsioneve tjera. Nuk mund ta regjistrojmë, pasi tashmë ka kaluar afati edhe për këtë”, shtoi Laporta.

“Unë premtova se do të bëja gjithçka për ta mbajtur atë. Ne u pajtuam, zgjidhëm gjithçka, por nuk mund ta zyrtarizonim. Kush e ka fajin? Unë nuk dua të kthehem në atë që trashëgoi kjo administratë, por ne thjesht nuk e kishim kohën e mjaftueshme për ta zgjidhur. atë rrëmujë. Ne kishim shumë më pak kohë sepse vetëm kohët e fundit morëm një raport financiar. Ne besuam se La Liga do të kishte më shumë mirëkuptim. Askush nuk po na shantazhonte, por oferta që kishim nuk ishte realiste . Paratë që do të merrnim nga investitorët në La Liga do të na rriste kufirin e pagës me 15 për qind, por as kjo nuk do të ishte e mjaftueshme. Unë nuk ndihem fajtor sepse bëra gjithçka”, ka vazhduar ai.

Laporta u mundua të shpjegojë në detaje edhe problemin që pengoi regjistrimin e Messit dhe zyrtarizimin e marrëveshjes së re. Ai gjithashtu zbuloi se klubi po punon fuqishëm për të zvogëluar buxhetin e pagave, ndërsa shtoi se Sergio Aguero e Memphis Depay do të jenë të përballueshëm për shkak se nuk do të jetë kontrata e Messit.

“Do të përpiqem t'ju shpjegoj saktësisht se cili është problemi. La Liga ka një rregull katër me një. Pra, për t’i dhënë dikujt pagë prej 25 milionë eurosh në sezon, duhet ta justifikosh me të ardhura prej 100 milionë eurosh, dhe kjo është shumë. Ne duhej të shisnim shumë lojtarë. Klubi po punon për të zvogëluar buxhetin e pagave, dhe me kontratën e reduktuar të Leos do të arrinte në 110 për qind të fitimeve të klubit, gjë që është e paqëndrueshme. E gjithë kjo është rezultat i investimeve të mëdha në vitet e fundit. Sa për Agueron dhe Depayn, ata nuk janë problem tani kur nuk do të ketë kontratë të Leos në buxhet”, ka thënë ai.