Sport

Prishtina e Drita synojnë të kthehen në Kosovë të kualifikuara në raundin e tretë

Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina dhe nënkampionia Drita, kanë marrë të mërkurën drejtime të kundërta. Prishtina ka udhëtuar drejt Uellsit, ndërsa Drita për në Holandë. Por, të dyja skuadrat e Kosovës kanë synime të njëjta – të kalojnë tutje në Ligën e Konferencës.

Prishtina pothuajse e ka kryer punën në ndeshjen e parë të luajtur javën e shkuar në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër kampionit të Uellsit, Connah’s, që e mposhti 4:1. Ndërsa, Drita në po të njëjtin stadium ndali në barazim pa gola, gjigantin holandez Feyenoordin. Si Prishtina ashtu edhe Drita synojnë kalimin në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Të dyja ekipet të enjten do t’i luajnë ndeshje kthyese nga ora 20:00. Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani e ka cilësuar të vështirë përballjen ndaj Connah’s.

“E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë, shkaku i fushës dhe udhëtimit, por gjithsesi kemi rezultat pozitiv dhe duhet ta menaxhojmë ndeshjen ashtu siç na konvenon neve. Do mundohemi të shënojmë të parët që t’i shuajmë ambiciet e kundërshtarit. Shpresoj me angazhimin e futbollistëve të arrijmë deri te kualifikimi”, ka thënë Ramadani.

Edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi ka bërë thirrje për kujdes ndaj kampionit të Uellsit.

“Rezultati është shumë i mirë, por nuk duhet të jemi të kënaqur, sepse futbolli di nganjëherë të jetë befasues. Ne kemi punuar tërë javën për këtë ndeshje dhe do të mundohemi të jemi si në ndeshjen e kaluar. Nuk jemi në Uells vetëm për ta ruajtur rezultatin, por ta japim më të mirën për të kaluar tutje”, është shprehur Krasniqi për KOHËN.

Në rast të kalimit tutje, Prishtina në raundin e tretë do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Bodo Glimtit të Norvegjisë dhe Valurit të Islandës. Ndeshjen e parë e fitoi 3:0 skuadra norvegjeze.

Ndërkohë, rezultat të mirë nga ndeshja e parë ka marrë edhe skuadra e Dritës. Drita luajti pa gola kundër Feyenoordit në Prishtinë, ndërsa të enjten luan në Rotterdam. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu vlerëson lart atmosferën brenda ekipit të tij, ndërsa thotë se futbollistët janë të gatshëm të sakrifikojnë për të arritur kualifikimin në raundin e tretë kualifikues. Ai shpreson edhe nw fat ndaj holandezëve.

“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Skuadra ime dëshmoi në ndeshjen e parë se jemi një, ne jemi një ekip që luftojmë të gjithë bashkë, përmirësohemi dhe rritemi të gjithë bashkë. Futbollistët tanë janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka me atë që kanë për atë se çfarë duan të arrijnë”, ka thënë Nuhiu për KOHËN. “Jemi të vetëdijshëm se na pret një përballje shumë e fortë. Kundërshtarin tani e njohim edhe nga afër. Skuadra kundërshtare ka futbollistë shumë cilësor dhe një trajner me ide të qarta. Megjithatë, gjithçka është e mundur në futboll. Djemtë do të japin zemrën në fushë. Forca e tyre nuk duhet të na tremb, por vetëm duhet të na motivoj. Ne do të tentojmë edhe pse duhet shumë punë, po ashtu disiplinë, por edhe fati sportiv të jetë në anën tonë”, është shprehur Nuhiu.

Edhe kapiteni i Dritës, Ardian Limani pranon se ndeshja kthyese ndaj Feyenoordit do të jetë më e vështirë se ajo në Prishtinë javën e kaluar. Por, Limani thotë se Drita është e përgatitur për të prishur çdo aksion të Feyenoordit.

“Ndeshja e kthimit sigurisht se do të jetë më e vështirë, sepse Feyenoordi njihet si skuadër e fortë në shtëpi. Megjithatë, ne e njohim më mirë tani secilin futbollist të tyre dhe dimë se ku e kemi rrezikun më të madh. Prandaj jemi përgatitur që ta prishim çdo aksion të tyre dhe të presim rastin e ndonjë kundërsulmi”, tha Limani për KOHËN.