Sport

Llapi po i pret vizat për Slloveni, Selmani beson se do ta eliminojnë Shkupin

Sulmuesi i Llapit, Kastriot Selmani, ka pohuar në “Sportin Total” të KTV-së se janë duke i pritur vizat që të shkojnë në Slloveni për fazën e fundit të përgatitjeve para ndeshjes që do ta kenë në Ligën e Konferencës ndaj Shkupit.

“Do të kemi kohë që të komponohemi si ekip, pasi ka pasur ardhje të reja. Nuk e di se a do të shkojmë në përgatitje jashtë vendit. Kemi aplikuar për viza që të shkojmë në Slloveni për përgatitje. Jemi në pritje të vizave”, theksoi Selmani.

Ai ka folur edhe për gjasat e Llapit ndaj Shkupit. Selmani beson që do të ia dalin.

“Jemi duke u përgatitur për ndeshjen që do ta kemi kundër Shkupit. Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi përballë do ta kemi një ekip cilësorë. Por, me angazhim maksimal do të mundohemi të kalojmë në raundin tjetër. Jemi duke e studiuar Shkupin dhe besoj që do të ia dalim. E mira është që do të luajmë ndeshjen e parë jashtë, kurse të dytën në Prishtinë. Besoj që do të lejohen edhe tifozët dhe do të jetë motiv shtesë”, tha Selmani.

Ndeshja e parë ndërmjet Shkupit dhe Llapit do të luhet me 8 korrik, kurse dueli i kthimit me 15 korrik në Prishtinë.