Sport

Musa Avdimetaj pëson me pikë nga boksieri ikonik Felix Sturm

Boksieri shqiptar Musa Avdimetaj, që në ringun profesionist njihet si James Kraft, është mposhtur të shtunën mbrëma me vendim unanim pas dhjetë raundeve, nga ish-kampioni i botës, Felix Sturm.

Për Avdimetajn 24-vjeçar ishte meçi më i madh i karrierës dhe mundësia për të arritur te një luftë për ndonjë titull të madh.

Por, ai nuk arriti të befasonte Sturmin 42-vjeçar.

“Ishte punë e vështirë për Felixin”, ka thënë trajneri i Felix Sturmit, Ulli Wegner, raporton Bild.

Edhe ish-boksieri i famshëm gjerman Axel Schulz tha se mbeti i befasuar nga Avdimetaj.

“Kraft më befasoi totalisht”, tha Schulz.

Për Avdimetajn është humbja e parë në karrierë karshi 19 fitoreve e një barazimi. Sturm ka shënuar fitoren e 42-të, ndërsa i ka edhe pesë humbje e tri barazime. Në parameç në mbrëmjen në Hamburg të organizuar nga Universumi, boksoi edhe Senad Gashi. Boksieri shqiptar i peshës së rëndë u mposht me vendim unanim nga Hussein Muhamed në luftën për titullin WBC International Silver. Për Gashin ishte humbja e katërt karshi 21 fitoreve.