Sport

Henchoz i del në mbrojtje Shaqirit

Descriptive Text

Legjenda e futbollit zviceran, Stephane Henchoz, i ka dalë në mbrojtje Xherdan Shaqirit pak ditë para Evropianit.

Shaqiri është prej yjeve të Zvicrës, ndërsa të gjithë vlerësojnë se ka potencial për shumë më tepër se që ka shfaqur deri më tani. Por lëndimet e kanë frenuar goxha shumë karrierën e kosovarit.

“Është lojtar i shkëlqyer, më duhet ta mbroj atë”, ka thënë Henchoz për “Blick”. Ai po ashtu ka luajtur për Liverpoolin, njëjtë si Shaqiri tani.

Henchoz ka dëgjuar shumë njerëz të thonë se Shaqiri nuk është për Liverpoolin dhe nuk ishte për Bayernin.

“Por në Bayern ka luajtur 80 ndeshje, ndërsa në Liverpool i ka 60 ndeshje. Ka kualitet”, ka shtuar ish-futbollisti zviceran. “Për fat të keq është lënduar shumë. Ndoshta për shkak të mënyrës së tij të jetesës. Ai e di më mirë se të tjerët, por ky është mendimi im. Por mendoj se ka mësuar prej kësaj. Si futbollist ju duhet të keni sjellje të një profesionisti edhe jashtë fushës. Ke nevojë të kujdesesh për trupin çdo ditë. Nuk mund të lëndoheni tri apo katër herë në vit”.

Henchoz, që ka 72 ndeshje për Zvicrën, ka pranuar se Shaqiri është shumë i rëndësishëm për “helvetikët”. Sipas tij Zvicra i ka shtatë apo tetë lojtarë shumë të mirë dhe asnjë si Shaqiri.

“Ai godet apo bën asistim si asnjë tjetër në përfaqësuese”, ka theksuar Henchoz.