Sport

De Bruyne bashkohet me Belgjikën pas operimit

Kevin De Bruyne është bashkuar me Përfaqësuesen e Belgjikës të hënën, por mbetet në dyshim të madh nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të “Euro 2020” kundër Rusisë pas një operimi që e ka bërë në fytyrë, ka zbuluar përzgjedhësi Roberto Martinez.

“De Bruyne është bashkuar me grupin dhe ky është një lajm fantastik. Ai duket gati dhe i freskët, por duhet të presim”, është shprehur Martinez.

Mesfushori i Manchester Cityt, De Bruyne i është nënshtruar një “operimi të vogël” në fytyrë të shtunën në mëngjes, pasi pësoi frakturë në hundë pas një përplasjeje me mbrojtësin e Chelseat, Antonio Ruedigerin në finalen e Ligës së Kampionëve, më 29 maj.

Martinez ka pranuar se De Bruyne mund të ketë probleme për të qenë gati për duelin kundër Rusisë, i cili këtë të shtunë zhvillohet në St. Petersburg në kuadër të Grupit B të “Euro 2020”.

“Ai tashmë do të jetë në duart e stafit të mjekëve tanë për ditët e ardhshme dhe në momentin që ata i japin lejen, Kevini do të integrohet me pjesën tjetër të grupit për stërvitje”, është shprehur Martinez. “Për momentin, nuk jam duke llogaritur në Kevinin për ndeshjen e parë. Mirëpo, nëse gjërat ndryshojnë, atëherë mund të bëjmë ndryshime. Tani për tani, nuk besoj që do të jetë i gatshëm për lojë”.

Përfaqësuesja e Belgjikës, që të premten do të niset për të St. Petersburg, gjithashtu në kuadër të grupit do të përballet edhe me Danimarkën e Finlandën. Ndeshjen e dytë, Belgjika e luan në Kopenhagë më 17 qershor përpara se të kthehet në St. Petersburg për t’u përballur me Finlandën (21 qershor).