Sport

Kastrati firmos me kampionen e Sllovenisë

Prishtinë, 24 qershor - Erjon Kastrati më në fund mund të koncentrohet plotësisht në punën me përfaqësuesen e Kosovës në basketboll. Lojtari i krahut, të premten, i ka dhënë fund një periudhe me paqartësi në karrierën e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Pasi të mërkurën u mor vendimi përfundimtar që Kastrati të luajë në të ardhmen për Kosovën e jo për Slloveninë, 22-vjeçari të premten i ka dhënë fund edhe dilemave për të ardhmen në nivel të klubeve. Ai ka firmosur për një vit me kampionen në fuqi të Sllovenisë, Union Olimpija. Në pesë vjetët e kaluar, lojtari i gjatë 198 centimetra ka luajtur për skuadrën tjetër të madhe sllovene, Krka.

Ai kthehet tek Olimpija, ku është zhvilluar si lojtar. Olimpija e Krka vlerësohen dy klubet më të mëdha sllovene. Derisa Krka është larguar si e fundit nga Liga e Adriatikut, Olimpija do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj gare rajonale. Po ashtu do të paraqitet në Ligën e Kampionëve.

Kastrati e ka nisur karrierën në Prishtinë, ndërsa më pas i është bashkuar të rinjëve të Olimpijas. Në edicionin 2011\12 është huazuar te Shkofja Loka, ndërsa në pjesën e dytë të të njëjtit edicion është kthyer tek Olimpija. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.