Sport

Mici: Më vjen keq që nuk luaj me “Dardanët” në këto dy ndeshje, Kosova gjithmonë ka qenë Shqipëri

Është përcjellë me bujë përfshirja e Gledi Micit në listën e Kosovës për ndeshjet miqësore me Guinenë dhe Gambinë, që zhvillohen në Antalya të Turqisë. Mici bën karrierë te Prishtina, ndërsa është nga Tirana.

Mici është pritur të bëhet lojtari i parë nga Shqipëria që paraqitet me Kosovën. Në të vërtetë, Kosova në ndeshjet që luhen më 8 e 11 qershor do të paraqitet me lojtarë që janë kandidatë për vend në përfaqësuese. Pra jo me përfaqësuesen më të fortë.

Dhe njëri prej kandidatëve është vlerësuar Mici, që mori ftesën e selektorit Bernard Challandes. Mici e ka pritur me shumë gëzim ftesën nga Kosova. Por, megjithatë, nuk do të debutojë për Kosovën gjatë këtij muaji.

Selektori Challandes të martën ka liruar nga grumbullimi i paraparë katër lojtarë të Prishtinës, me kërkesë të klubit të kaltër. Mici është njëri prej lojtarëve që me gjithë ftesën, nuk do të grumbullohet me Kosovën.

“Me kërkesë të FC Prishtina dhe me qëllim të përkrahjes së klubeve tona për paraqitje sa më të mirë në garat evropiane, përzgjedhësi Bernard Challandes ka vendosur të lirojë nga grumbullimi i paraparë me Kombëtaren katër futbollistët e skuadrës kampione të Kosovës, e cila ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve. Kërkesa e klubit ka ardhur pas publikimit të listës dhe disa ditë pasi FFK-ja ua ka dërguar ftesat Gledi Micit, Endrit Krasniqit, Leonit Abazit dhe Lumbardh Dellovës për dy miqësoret që zhvillohen në Antalya kundër Guinesë dhe Gambisë”, ka njoftuar FFK-ja të martën.

Prishtina ka nisur të hënën përgatitjet për kampanjën e parë në Champions. Shorti për raundin preliminar tërhiqet më 8 qershor, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale të raundit preliminar janë më 22 qershor. Finalja e raundit preliminar është më 25 qershor. Pra, Prishtinën e pret fazë e shkurtër përgatitore për Champions. Ndeshjet e raundit preliminar luhen në Ishujt Faroe, ndërsa pos Prishtinës paraqiten edhe Torshavni i Ishujve Faroe, Inter Club d’Escalades i Andorrës dhe Folgore e San Marinos. Torshavni dhe Prishtina janë bartëse në short.

Mici luan mbrojtës i krahut të majtë dhe te Prishtina vlerësohet shumë i rëndësishëm. Ai dha kontribut të çmuar në kampanjën që solli titullin për Prishtinën pas pritjes së gjatë. 30-vjeçari ka bërë karrierë edhe te Kamza, Flamurtari i Vlorës, Kukësi, Skënderbeu i Korçës dhe Shkëndija e Tetovës.

Mici ka luajtur për të rinjtë e Shqipërisë, por asnjëherë për Përfaqësuesen A. Ftesa për të luajtur për Kosovën e kishte gëzuar shumë.

“Ndihem jashtë mase i lumtur për ftesën dhe gjej rastin t’i falënderoj të gjithë. Më vjen keq që klubi ka vendosur që ne të mos shkojmë pasi kisha shumë dëshirë ta tregoja veten në këto dy ndeshje”, ka thënë Mici të martën për KOHËN. Ai ka treguar se nuk ka hezituar për ta pranuar ftesën që të luajë për Kosovën.

“Vendosa ta pranoj ftesën pasi unë jam shqiptar dhe Kosova gjithmonë ka qenë Shqipëri. Shumë lojtarë të Kosovës kanë luajtur për Shqipërinë, pse jo edhe lojtarë të Shqipërisë të luajnë për Kosovën”, ka shtuar Mici.

Ai tani në vend që të bashkohet me Kosovën, do të bashkohet me skuadrën e Prishtinës në stërvitje. Por gatishmëria e tij hap dyert për të tjerë lojtarë nga Shqipëria që të luajnë për Kosovën. Ka vlerësime të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, nëse duhet që FFK-ja të llogaritë në lojtarët nga Shqipëria.