Sport

Donaire futet në histori, nokauton Oubaalin

Descriptive Text

Boksieri Nonito Donaire është futur në histori duke u bërë boksieri më i vjetër që e ka fituar titullin e botës në kategorinë bantam (deri 53.5 kilogramë).

Donaire e rrëzoi francezin Nordine Oubaali tri herë, duke e mbyllur meçin e zhvilluar në Kalifornia, të vlefshëm për titullin e botës në versionin WBC, me nokaut në raundin e katërt.

38-vjeçari është bërë për herë të tretë kampion bote në kategorinë bantam, ndërsa ai ka fituar tituj bote gjatë karrierës në katër kategori të ndryshme.

Për të ishte meçi i 20-të për titull bote.

“E dija në fund të raundit të tretë se ai ishte i lënduar. E pash se ishte mundësia për nokaut dhe shkova. I thash ekipit tim se nuk do të mund të qëndrojë ai më tepër se gjashtë raunde”, ka thënë Donaire raporton “BoxingScene”.

Donaire në boksin profesionist i ka 41 fitore (27 KO) e gjashtë humbje. Oubaali, që mbante titullin e botës, ka pësuar humbjen e parë në boksin profesionist pas 17 fitoreve rresht.