Sport

Blendi Idrizi: Ftesa nga Kosova është realizim i ëndrrës

Shumë dyer janë hapur për Blendi Idrizin gjatë këtij muaji. Gati papritur ai debutoi në Bundesligë për Schalken dhe kjo ka ofruar mundësi të reja e të mëdha për mesfushorin 23-vjeçar.

Rastin e ofruar nga Schalke, Idrizi e ka shfrytëzuar maksimalisht. Është paraqitur mirë dhe njëri prej shpërblimeve erdhi të martën. Ai është përfshirë në listën e Kosovës për ndeshjet miqësore të muajit të ardhshëm.

Idrizi më herët ishte pjesë e U21 të Kosovës, ku luajti pak. Kishte tri paraqitja. Dhe tani do të jetë në përfaqësuese për ndeshjet miqësore me San Marinon (1 qershor, ‘Fadil Vokrri’) dhe me Maltën (4 qershor, Austri). Kosova do të grumbullohet të premten për këto dy ndeshje.

Selektori Bernard Challandes ka ftuar katër lojtarë të rinj e në mesin e tyre është edhe Idrizi.

“Nuk e kam pritur kaq shpejtë ftesën”, ka thënë Idrizi për KOHËN, menjëherë pasi FFK-ja bëri publike listën.

“E kam treguar veten në ato ndeshje me Schalken dhe kështu erdhi edhe ftesa”, ka shtuar ai.

Idrizi luajti fillimisht në Bundesligë më 12 maj ndaj Herthas. Schalke humbi 2:1. Menjëherë më 15 maj ai shënoi gol, ndërsa Schalke fitoi 4:3 ndaj Eintracht Frankfurtit. U aktivizua edhe më 22 maj ndaj Koelnit, në humbjen 1:0 të Schalkes. Ishin këto ndeshje të tri xhirove të fundit të kampionatit gjerman. Idrizi startoj në të gjitha.

Schalke më herët kishte humbur gjasat për të mbetur në Bundesligë dhe edicionin e ardhshëm luan në kategorinë e dytë gjermane. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të provojnë lojtarë të rinj në ndeshjet e fundit dhe Idrizi është prej atyre që përfitoi më së shumti nga rasti i ofruar. Atij iu krijua mundësia edhe për shkak të telasheve me koronavirus në skuadrën e njohur gjermane. Ndonëse në kategorinë e dytë tashmë, Schalke mbetet prej skuadrave më të famshme në Gjermani.

“Janë ndeshje miqësore, por është mundësi e mirë për mua që të dëshmoj se kam kualitetin për të luajtur për Kosovën. Ftesa është ëndërr e realizuar për mua, është arritje e një synimi të madh që kam pasur. Tani më mbetet të shfaq më të mirën në stërvitje dhe të pres rastin”, ka shtuar Blendi Idrizi.

Ai nuk ka folur me Challandesin, ndërsa është kontaktuar nga menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala.

“Natyrisht që paraqitja në tri ndeshjet e Bundesligës dhe vlerësimi pozitiv që mora, kanë bërë të mundur të ftohem te Kosova. Jam i vetëdijshëm se pa paraqitje në Bundesligë kjo nuk do të ndodhte tani”, ka thënë Idrizi.

Deri në fillim të këtij muaji, Idrizi ishte pjesë e ekipit të dytë të Schalkes në kategorinë e katërt gjermane. Në 31 ndeshje realizoi gjashtë gola e gjashtë asistime. U paraqit mirë dhe u ftua në ekipin e parë, ku shfaqi vlera. Më herët ka qenë në skuadra tjera në gjermani si Alemannia Aachen e Fortuna Koeln.

Mediat gjermane kanë njoftuar se Schalke ka shprehur interesim që të vazhdoj kontratën me reprezentuesin e ri të Kosovës. KOHA ka mësuar se negociatat tashmë kanë nisur dhe se kontrata e re pritet të nënshkruhet së shpejti.

Idrizi ka kontratë vetëm deri më 30 qershor. Ai më herët ka thënë për KOHËN se do të ishte sukses i madh nëse do të mbetej te ekipi i parë i Schalkes.

“Të shohim se çka do të sjellin ditët e ardhshme. Është opsion vazhdimi i kontratës por të shohim se çka do të bëhet”, ka thënë Idrizi, të martën.