Sport

Salihu për mediat në Kazakistan: Ishte thjesht një ndeshje futbolli, jo një luftë

Descriptive Text

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, është ndarë tejet i zhgënjyer me vendimin për anulimin e ndeshjes miqësore ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Kazakistanit. Për gazetën online kazake “SportsKZ”, Sahiu të mërkurën ka thënë se ishte thjesht një ndeshje futbolli, jo një luftë. Ai ka kritikuar ashpër qeverinë e Kazakistanit që, sipas tij, ka ndikuar në anulimin e ndeshjes.

Salihu ka theksuar se FFK-ja ka raporte shumë të mira me Federatën e Futbollit të Kazakistanit. Ndeshja miqësore Kosovë – Kazakistan ishte paraparë të zhvillohej më 4 qershor në “Fadil Vokrri”. Kjo miqësore dështoi, edhe pse të dyja federatat më herët kishin arritur marrëveshje për zhvillimin e saj. Shkas për anulimin e saj u bë Qeveria e Kazakistanit, e cila nuk e lejoi ekipin kombëtar kazak të udhëtojë në Prishtinë, për shkak se nuk e njeh ende Kosovën si shtet. Deri më tash, Federata e Futbollit e Kazakistanit nuk ka dhënë ende asnjë sqarim në opinion lidhur me këtë temë. FFK-ja të martën njoftoi për anulimin e ndeshjes dhe në vend të Kazakistanit, Përfaqësuesja e Kosovës tani do të përballet me Maltën në të njëjtën datë, por në Austri.

“Ne kemi marrëdhënie shumë të ngrohta dhe miqësore me Federatën e Futbollit të Kazakistanit. Ne ramë dakord për ndeshjen miqësore brenda pak minutash – ka pasur vullnet të mirë dhe kënaqësi për ta pritur ekipin tuaj. Por, ne e kuptojmë plotësisht Federatën e Kazakistanit, pasi ajo mori një ndalesë nga qeveria juaj për zhvillimin e kësaj miqësoreje”, ka thënë Salihu për gazetën online kazake “SportsKZ”.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Salihu ka thënë se nuk do të kërkojnë dënimin e Federatës kazake nga UEFA për anulimin e njëanshëm të kësaj miqësoreje, për të cilën ishin bërë gati.

“Ne ishim të zhgënjyer për këtë fakt, pasi kemi simpati për popullin kazak dhe historinë e tij. Kjo ishte thjesht një ndeshje futbolli, jo një luftë. Por, ne nuk do të vendosim gjobë për Federatën e Futbollit të Kazakistanit, sepse ne i konsiderojmë presidentin e saj, sekretarin e përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë, si njerëz shumë të sjellshëm dhe konstruktivë”, është shprehur Salihu.

Salihu insiston se nuk e ka pritur një pengesë të tillë politike nga kazakët. Ai ka shtuar se “Dardanët” nuk e patën as problemin më të vogël për ta gjetur një përfaqësuese tjetër pas anulimit të miqësores nga ana e Kazakistanit.

“Shpresoj që qeveria juaj ta pranojë faktin që ne kemi nevojë për miqësinë dhe respektin tuaj përmes sportit dhe jo të vendosë barriera që mund ta dëmtojnë reputacionin e vendit tuaj. Neve anulimi i kësaj miqësoreje nuk na solli probleme, sepse asnjëherë nuk kemi probleme për të gjetur kundërshtarë, ngase bëjmë pjesë në Evropën Juglindore. A do të negociojmë sërish në të ardhmen për një miqësore me kazakët? Ne jemi të zhgënjyer, por përsëri do të jemi konstruktivë, miqësorë dhe dashamirës ndaj popullit tuaj”, ka thënë Salihu.

Kazakistani nuk e njeh shtetin e Kosovës, madje e kishte kundërshtuar fuqishëm vendimin për shpalljen e pavarësisë. Edhe kreu i FFK-së, Agim Ademi, pas njoftimit për anulimin e ndeshjes me Kazakistan, të martën ka thënë se ka të bëjë me politikën përkundër marrëdhënieve të mira me Federatën kazake.

“Besoj se është vetëm çështje politike, sepse marrëdhëniet sportive janë shumë të mira mes dy vendeve”, ka thënë për KOHËN Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. “Nga Federata e Kazakistanit kemi pranuar vetëm njoftim. Prandaj besohet se arsyet janë vetëm politike”.

Në të vërtetë, FFK-ja i ka ndërruar dy prej katër kundërshtarëve të qershorit. Pasi zgjodhi Maltën në vend të Kazakistanit, ka njoftuar se në vend të Komorosit do të përballet me Përfaqësuesen e Guinesë. Kosova në fund të këtij muaji do ta nisë grumbullimin për katër ndeshjet miqësore të muajit tjetër. Miqësoren e parë Kosova do ta luajë më 1 qershor në Prishtinë kundër San Marinos, kurse tri ditë më vonë do të përballet me Maltën në Austri. Dy miqësoret e fundit do t’i luajë në Antalia, me Guinenë dhe Gambinë, më 8 përkatësisht 11 qershor.