Sport

Kosova pëson disfatën e katërt në kualifikime të “EuroVolley2021”

Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll në konkurrencën e femrave, e ka pësuar edhe disfatën e katërt rresht në kualifikimet për “EuroVolley2021”.

Njësoj si në tri ndeshjet e kaluara, Kosova as të enjten në mbrëmje nuk arriti ta fitojë asnjë set. Humbi 3:0 nga Finlanda me shumë përvojë, në duelin që u zhvillua në Nitra të Sllovakisë.

Kosova për herën e parë në këto kualifikime u ndal në vetëm nëntë pikë në setin e parë. E humbi atë 25:9, ndërsa dy setet, të udhëhequrat e trajnerit Lorik Ilazi, u mposhtën me rezultatin 25:16 dhe 25:14.

Dhurata Sylejmani ishte më e dalluara te Kosova me 10 pikë të realizuara, ndërsa Venera Kadriu pati 8 pikë, kurse Valmira Ramadani, 7 të tjera.

Ndeshjen e radhës, Kosova që është në vendin e fundit në Grupin D, e luan të premten në mbrëmje kundër Sllovakisë vendëse. Dueli nis në orën 20:30.

Në Grupin D, Sllovakia ka katër fitore nga po aq ndeshje dhe kryeson me 12 pikë. E dyta është Finlanda me 8 pikë, Mali i Zi ka 4 pikë, ndërsa Kosova ende është pa fitore.