Sport

Besa për titull në kryeqytet, Prishtina kërkon ndeshjen e tretë

E trimëruar nga paraqitja e mirë në pjesën e dytë të ndeshjes së parë, Prishtina kërkon fitoren e parë të edicionit ndaj Besa Famgas.

Prishtina e Besa Famgas takohen të mërkurën nga ora 19:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, në ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.

Besa Famgas e ka fituar ndeshjen e parë finale të luajtur të shtunën në Pejë me shifrat 33:29. Por ndeshja ishte e hapur deri në fund dhe u vendos vetëm në aksionet e fundit. Në të vërtetë pejanët kishin epërsi bindëse pas pjesës së parë, por në të dytën lojtarët e Prishtinës dominuan dhe ishin afër të bënin befasi.

Besa Famgas i ka fituar bindshëm të gjitha ndeshjet e këtij edicioni dhe për herë të parë është sfiduar të shtunën. Skuadra e Taib Kabashit tani synon hap tutje – ta mposhtë Besën dhe të sigurojë ndeshjen e tretë të finales së plejofit.

Besës i mjafton fitorja apo barazimi për t’u shpallur kampione dhe për të vazhduar dominimin në hendbollin kosovar.

“Jemi përgatitur maksimalisht për lojën e dytë kundër Besa Famgasit. Në lojën e parë finale të plejofit në Pejë patëm paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e dytë. Të gjithë e dimë që bëhet fjalë për një ekip të organizuar e cilësor që ka në radhët e veta lojtarë nga Spanja, Greqia e Bosnja. Por edhe ekipi ynë, Prishtina, është cilësor. Në radhët tona kemi lojtarë kualitativë. Pritet lojë e fortë në mes dy ekipeve më të mira në Kosovë, Prishtinës e Besës”, ka thënë Taib Kabashi, trajner i Prishtinës.

Te Besa Famgas nuk po paraqitet njëri prej lojtarëve më të mirë, Kastriot Jupa, ndërsa në ndeshjen e parë finale mungoi edhe Drilon Tahirukaj, një tjetër lojtar i shtatëshes së parë.

“Jemi 1:0 pas ndeshjes së parë finale të plejofit. Ishte ndeshje në të cilën ishim më të mirë në pjesën e parë, sidomos në mbrojtje. Prishtina ishte më e mirë në pjesën e dytë. Mendoj se fituam pasi kishim avantazh shumë të mirë pas pjesës së parë. Në pjesën e dytë nuk jemi mbrojtur mirë në aksionet 7 kundër 6 dhe nuk kemi vrapuar mjaftueshëm. E dimë që ndeshja e dytë do të jetë e vështirë për ne, por ne duam ta fitojmë dhe ta fitojmë titullin e kampionit. Ne e kemi përgatitur mirë ndeshjen. Nëse mbrohemi mirë dhe vrapojmë, kemi të gjitha mundësitë për të fituar”, ka thënë trajneri spanjoll i Besa Famgas, Javier Cabanas.

Box ******

T: Vushtrria fiton ndeshjen dramatike, kampioni vendoset në Istog

Hendbollistet e Vushtrrisë kanë barazuar 1:1 rezultatin në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës. Të martën pasdite në palestrën “Jeton Tërstena – Tota”, Vushtrria fitoi ndaj Istogut me rezultatin 24:23.

Golin vendimtar e shënoi Lorena Matarova nga penalltia. Ndeshja ishte e fortë dhe e barabartë. Herë njëra e herë skuadra tjetër ishin në epërsi të ngushtë. Aksionet e fundit vendosën fituesin, ndërsa më të koncentruara ishin lojtaret vendëse.

Për Istogun ishte humbja e parë pas 25 fitoreve rresht në kampionat. Istogu e kishte fituar bindshëm ndeshjen e parë finale, ndërsa do të jetë nikoqir edhe i finales së tretë dhe vendimtare, që do të luhet në fundjavë.