Sport

Transformimi i Tuchelit e çon Chelsean në prag të lavdisë

Descriptive Text

I shkarkuar nga Paris Saint-Germaini në prag të Krishtlindjeve, Thomas Tuchel do të kthehet në finalen e Ligës së Kampionëve. Ekipi i tij i përtërirë, Chelsea, e eliminoi Real Madridin në gjysmëfinale, të mërkurën.

Tuchel tha se ndihej sikur kishte gjetur “dhuratën më të mirë” kur mori telefonatën nga Chelsea në janar të këtij viti, pasi ekipi londinez kishte shkarkuar nga posti i trajnerit Frank Lampardin. Ky i fundit është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit nga Londra. Megjithatë, pronari miliarder i Chelseat, Roman Abramovich, nuk lejoi që ndjenjat ta pengonin që ta shkarkonte Lampardin, i cili nuk arriti të nxjerrë më të mirën nga një shpenzim prej 300 milionë eurosh në përforcimet që i kishte bërë para fillimit të këtij sezoni.

Ky investim po del i qëlluar nën urdhrat e Tuchelit, ndërsa Chelsea e limitoi fuqinë e Real Madridit në fitoren 2:0 të mërkurën, për të siguruar finalen kundër Manchester Cityt. Finalja angleze do të zhvillohet më 29 maj në Stamboll.

“Jam shumë i lumtur që jam trajner i një ekipi të tillë dhe që kam arritur për herën e dytë rresht në finalen e Championsit. Duket se sakrifica dhe puna jonë janë shpërblyer më në fund”, tha Tuchel.

Fitorja e përgjithshme e Cityt, 4:1, në gjysmëfinalen tjetër ndaj Paris Saint-Germainit, do të thotë që Tuchel nuk do të ketë mundësinë e hakmarrjes ndaj kampionit të Francës, që e shkarkoi. Mirëpo reputacioni i tij si një nga trajnerët më të mirë të Evropës është rivendosur shpejt, më pak se katër muaj në rolin e tij të ri në Londrën perëndimore.

Chelsea ka humbur vetëm dy nga 24 ndeshjet në krye me Tuchelin për të kaluar në “pole position” për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve përmes top-katërshes në Premier League, nëse nuk arrin ta mposhtë Cityn në finale. Chelsea është e katërta në tabelë me 61 pikë, kurse kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të këtij sezoni.

“Kur filluam të punojmë me trajnerin Tuchel, ne ishim në pozitën e nëntë në kampionat dhe tani kemi arritur gjithçka. Jemi në mesin e katër ekipeve më të mira në kampionat dhe mund të fitojmë Ligën e Kampionëve, si dhe Kupën FA”, tha sulmuesi i Chelseat, Timo Werner. “Kemi bërë një rrugë të pabesueshme për t’u ngjitur dhe meritat për këtë i ka trajneri Tuchel”.

Ringjallja e sezonit të Chelseat është bërë mbi një themel të fortë.

Për herën e 18-të nën drejtimin e Tuchelit, Chelsea mbajti portën e paprekur derisa tregoi lojë fantastike dhe tejet sulmuese, me raste të shumta ndaj Real Madridit. Në fakt, Reali rastin më të mirë e pati në pjesën e parë me anë të Karim Benzemas, por gjuajtjen e tij e priti portieri Edouard Mendy.

Një nga detyrat që priste Tuchelin kur mori drejtimin e Chelseat, ishte të nxirrte më të mirën nga bashkëvendasit e tij, sulmuesi Werner dhe mesfushori Kai Havertz.

Edhe nën menaxhim të ri, dyshja e Gjermanisë ende nuk e ka treguar formën që e pati edicionin e shkuar në Bundesligë, ku Werner ishte pjesë e Leipzigut derisa Havertz luante për Leverkusenin.

Mirëpo të mërkurën mbrëma garda e vjetër e Real Madridit – që fitoi katër trofe të Championsit - u la nën hije me lehtësi nga Chelsea që funksiononte në çdo aspekt.

Pas vetëm tre golave ​​në 38 ndeshje për klubin dhe vendin, Werner mund të ishte dekurajuar kur një gol iu anulua ndaj Realit për shkak të pozitës jashtë loje. Megjithatë, ai ishte edhe më i motivuar dhe më vonë mori një top pas një goditjeje nga Havertz, të cilin e shndërroi në gol dhe kaloi Chelsean në epërsi.

Për të gjitha paratë e shpenzuara nga Abramovich, askush nuk i shfaqi ato cilësi më shumë sesa një lojtar i zhvilluar nga vetë akademia e klubit, Mason Mount. Mount e shënoi golin e dytë dhe vulosi ndeshjen.

“Kalimi në finale të Championsit duhet të na shtojë edhe më shumë vetëbesimin për shkak se ende asgjë nuk kemi fituar. Jemi në garë për dy trofe këtë edicion, por është ende herët të flasim”, u shpreh Tuchel.

Tuchel nuk arriti ta fitojë Championsin në gushtin e shkuar pasi ekipi i tij, PSG, u mposht nga Bayern Munichu me rezultatin minimal 1:0. Por ai ka një shans të dytë kur përballet me njërin nga mentorët e tij, trajnerin e Cityt, Pep Guardiola.

“Unë futbollin e kam më shumë pasion se profesion dhe jam mirënjohës për këtë. Do të përgatitemi për të pasur një paraqitje edhe më të mirë në finale pasi dëshira e të gjithëve në klub është që ta fitojmë, edhe pse nuk do të jetë lehtë, sepse do të përballemi me Cityn e Guardiolas”, pranoi Tuchel.