Sport

Driton Kuka shtjellon për KOHËN idenë për Këshillin Kombëtar të Sportit

Një Këshill Kombëtar për sportin, që do të përcaktonte politikat sportive dhe do të mbikëqyrte punën e KOK-ut dhe federatave sportive, është i domosdoshëm, vlerëson trajneri i xhudos, Driton Kuka. Ai ka thënë se sporti i Kosovës është në krizë dhe se Këshilli do të shërbente për të kthyer sportin në binarë. Kuka vlerësohet kompetent për të dhënë propozime për të çuar sportin përpara. Ekipi i tij është bindshëm më i suksesshmi në vend

Nga Bjeshkët e Roglas në Slloveni, ku po e përgatit ekipin elitar për Botëror e Lojëra Olimpike, Driton Kuka të martën doli me idenë për të themeluar Këshillin Kombëtar të Sportit në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, trajneri i Kosovës në xhudo, ka thënë se Këshilli Kombëtar është domosdoshmëri dhe se sporti në Kosovë është në krizë.

Vlerësohet se Driton Kuka e ka kredibilitetin për të dhënë propozime që shtyjnë sportin kosovar para. Kuka si trajner është dukshëm më i suksesshmi në vend, por edhe më gjerë. Me nxënësit e tij ka shkruar histori dhe vazhdon të shkruajë atë. Xhudistët e Kosovës fitojnë vazhdimisht medalje në kampionate botërore e evropiane, ndërsa synojnë edhe medalje në Lojërat Olimpike. Kosova ka debutuar në Olimpiadë me të artë, falë Majlinda Kelmendit, nxënëses më të suksesshme të Kukës.

Edhe në të kaluarën, Kuka ka shtyrë para procese në sportin kosovar, ndër të tjera, për shpërblimin e sportistëve dhe për kategorizim.

Trajneri pejan vlerëson se në Këshillin për Sport duhet të jenë personalitete sportive me kredibilitet.

“Ka ardhur koha që Kosova të ketë Këshillin Kombëtar të Sportit. Por jo ai të ndërtohet me vota, por me kritere. Sporti nuk është politikë e as klub sportiv që të bëhet tifo. Këshilli Kombëtar është domosdoshmëri. Me njerëz me kredibilitet të lartë personal, me bagazh të sportistit e jo të turistit. Organizatat sportive janë mbushur me njerëz që askush nuk i njeh për kontribut në sport dhe kjo është bërë trend”, ka shkruar Driton Kuka.

Si rrallëherë, ai ka konfirmuar se në sportin e Kosovës ka krizë. Performanca e federatave, sipas Kukës, analizohet pak ose aspak.

Kukës i pengon që garues kosovarë shkojnë në kampionate evropiane e botërore dhe federatat raportojnë për rekorde të Kosovës. Sipas mjeshtrit Kuka, kjo është lajthitje e opinionit, përkatësisht fshehje e dështimeve.

“Kemi numër të madh të federatave sportive, por pak prej tyre janë serioze në prezantimin dinjitoz ndërkombëtar. Duhet të analizohet pse mungojnë medaljet elitare. Kur flitet për buxhet të gjithë gjejnë arsyetime dhe kërkojnë modele për të marrë ndonjë euro më shumë. Por, sa nga mjetet nëpër federata investohen seriozisht në sportistë e trajnerë. Është koha që njerëz të duhur të vijnë në sport. Edhe me ligj parashihet ngritja e Këshillit Kombëtar të Sportit. Të kujdesemi që sporti të ecë para për fëmijët tanë të mrekullueshëm e me talent të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Kuka.

Për KOHËN, Kuka ka shtjelluar idenë për Këshillin Kombëtar dhe rëndësinë që ai pritet të ketë për zhvillimin e sportit në vend.

Ky Këshill do të përcaktonte politikat e sportit në përgjithësi dhe do të ishte një lloj organi mbikëqyrës i punës së Komitetit Olimpik të Kosovës dhe federatave sportive të vendit.

“Në shumë shtete ekziston Këshilli Kombëtar për Sport. Ky organ përcakton kritere për çdo send, politikat e sportit në përgjithësi. Duhet që federatat të mbikëqyren se si e menaxhojnë buxhetin. Këshilli do të duhej të punonte për eliminimin e federatave fantome, të caktonte kritere për hyrje në KOK. Në një pjesë të federatave e besa edhe në KOK, kanë hyrë njerëz për përfitime personale. Për këtë Këshilli është domosdoshmëri e kohës. Duhet të sigurohet që buxheti të jetë programor e jo të shpenzohet sipas tekeve, në gjëra koti”, ka theksuar Kuka.

Ai ngul këmbë se duhet të investohet dukshëm më tepër në sportistë, por edhe në trajnerë. Sipas Kukës, KOK-u asnjëherë nuk ka ofruar përkrahje të mirëfilltë për trajnerë. Sipas trajnerit të xhudos, kredibiliteti i një pjese të drejtuesve sportivë nuk është i duhuri, prandaj Këshilli është i domosdoshëm.

“Këshilli duhet të jetë trup i pavarur që në një mënyrë mbikëqyr punën e KOK-ut dhe federatave. Edhe Ministrinë e Sportit duhet ta udhëzojë se kah të marrë rrugë”.

Kuka mendon se Qeveria duhet ta krijojë Këshillin Kombëtar për Sport.

“Më konkret, Këshilli duhet të jetë organ këshilldhënës i Qeverisë për sport. Ai duhet të përbëhet nga njerëz kredibilë me të arritura në sport. Edhe për KOK duhet të konkurrohet me kritere, pra kritere të edukimit dhe të bagazhit sportiv. Sipas mendimit tim, fituesit e medaljeve olimpike për Kosovën duhet të përfshihen me automatizëm në Këshill”, ka theksuar Kuka.

KOHA ka kërkuar një qëndrim nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport për propozimin e Kukës, por gjatë së martës nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, njerëz të sportit kanë përkrahur idenë e Driton Kukës.

“Plotësisht me vend. 20 vjet janë të njëjtit njerëz që i keqpërdorin mjetet dhe për sport as që mërziten. Pa u pastruar federatat nga disa persona, sporti nuk do të ecë para”, ka komentuar Afrim Majanci, një prej emrave të njohur të boksit kosovar.