Sport

Paralajmërohet që Lojërat Olimpike të mbahen pa shikues

Presidentja e Komitetit Organizativ të “Tokio 2020”, Seiko Hashimoto, ka pranuar që Lojërat Olimpike dhe Paralimpike mund të mbahen prapa dyerve të mbyllura. Sipas saj, organizatorët po tentojnë t’i ulin brengat lidhur me mbajtjen e ngjarjes së madhe sportive në kohë pandemie. Organizatorët njoftuan më herët këtë javë se një vendim mbi limitin e spektatorëve në Lojërat Olimpike nuk do të merret deri në muajin qershor.

Vendimi do të merret një muaj para ceremonisë së planifikuar të hapjes së Lojërave Olimpike, më datën 23 korrik. Ky vendim është shtyrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në Tokio dhe disa zona përreth. Megjithatë, është ndaluar tashmë prania e tifozëve të huaj në këtë ngjarje dhe po pritet një limit për vendasit.

Hashimoto pranoi ditë më parë se mundësimi i kapacitetit të plotë të tifozëve do të jetë shumë i vështirë, duke shtuar se edhe ata që janë lejuar për t’i përcjellë ngjarjet mund të ndalohen nga Lojërat Olimpike.

“Mund të ketë një situatë ku nuk mund të lejojmë asnjë spektator të marrë pjesë. E vetmja mënyrë që ne mund t'i quajmë lojërat një sukses është nëse mbrojmë plotësisht jetën dhe shëndetin e sportistëve dhe popullit të Japonisë”, pranoi Hashimoto. “Nëse vetë ngjarja ndryshon, mendoj se do të jetë në lidhje me spektatorët. Kjo është një fushë ku mund të jemi në gjendje të zvogëlojmë ankthin e njerëzve që shqetësohen për sistemin mjekësor”.

Organizatorët e LO “Tokio 2020” të premten e patën një tryezë, ku u mblodhën ekspertët në lidhje me masat kundër COVID-19, me organizatorët që pretendojnë se ata janë ende duke planifikuar për pjesëmarrjen e mundshme të tifozëve vendas në këtë ngjarje. Pas tryezës së mbajtur pasoi botimi i librit të dytë për sportistë dhe zyrtarë në LO “Tokio 2020”. Librat e lojërave konfirmojnë se do të ketë testime ditore të pështymës për sportistët dhe të gjithë ata në afërsi të garueseve. Ndërsa të gjithë pjesëmarrësve në Lojëra do t'u kërkohet të marrin dy teste COVID-19 brenda 96 orëve para se të fluturojnë për në Japoni. Zyrtarët, trajnerët dhe mediat do të testohen çdo ditë për tri ditë rresht pas mbërritjes së tyre në vendin mikpritës. Pjesëmarrësit gjithashtu do të jenë në gjendje të hanë vetëm në zona të caktuara, të tilla si restoranti i hotelit, vendet dhe dhoma e tyre, gjatë kohës sa zgjasin Lojërat Olimpike.

Të gjithë ata që marrin pjesë në Lojëra do të duhet ta plotësojnë një premtim të detyrueshëm me shkrim, që konfirmon se do t'u përmbahen rregullave në librin e Lojërave, së bashku me provën e një testi negativ, përpara se të lejohen të futen në Japoni. Ata që nuk u përmbahen masave mund t’u hiqet akreditimi.

Tomoya Saito, drejtori i Qendrës për Gatishmërinë dhe Reagimin e Emergjencave (CEPR) në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive të Japonisë, tha se kishte propozuar dënime për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave.

“Ne duam t'i joshim njerëzit t’i ndjekin rregullat dhe një mënyrë për ta bërë atë është të sigurojmë që masat të bëhen të lehta. Nga ana tjetër, mënyra e dytë është të dalësh me ndëshkime dhe sanksione. Ne duhet të kemi gjykime të drejta, kështu që na duhet një këndvështrim i palës së tretë”, tha Saito. “Ne duam të kemi një vlerësim sa më pozitiv të këtyre lojërave dhe duam që njerëzit të ndihen të natyrshëm në lidhje me ndjekjen e këtyre rregullave. Ne duam të ushqejmë një vetëdije dhe mirëkuptim kolektiv për t’i ndjekur rregullat për të pasur lojëra argëtuese”.

Zyrtari i shpërndarjes në LO “Tokio 2020”, Hidemasa Nakamura, tha se do të duhej të ekzistonte një formë sanksionesh në këtë ngjarje. Nakamura tha se organizatorët donin të ofronin sanksione “të arsyeshme dhe të drejta”, si dhe të kuptonin se si do të funksiononte procesi i ndëshkimit. Nakamura shtoi se kjo mund të aplikohet me lehtë te sportistët, pasi ata do të banojnë në Fshatin Olimpik.

Nakamura tha se organizatorët do të duhet të marrin në konsideratë se si të sigurojnë që rregullat janë “praktike” dhe të zbatueshme për palët e interesuara që do të qëndrojnë jashtë Fshatit Olimpik gjatë Lojërave Olimpike.

Tokio është nën masa emergjente për ta frenuar rritjen e infeksioneve me COVID-19”. Kundërshtimi i pranisë së publikut në Lojërat Olimpike, të planifikuara të nisin më 23 korrik, mbetet i lartë në Japoni për shkak të krizës globale të shëndetit.