Sport

FFK e pakënaqur me rezultatet, “paralajmëron ndryshime”

Descriptive Text

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës ku ka analizuar ndeshjet e përfaqësueses dhe rezultatet e arritura.

Pas humbjes 4 me 1 nga Turqia në ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin 2018, përzgjedhësi Albert Bunjaki është kritikuar ashpër nga njohës të futbollit, madje edhe nga ylli i përfaqësueses Besart Berisha.

Tani KE thotë se nuk është i kënaqur me rezultatet dhe së shpejti do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dalë nga gjendja aktuale, por duke mos specifikuar nëse do të merret vendim për të ardhmen e Bunjakit.

“Pas shumë diskutimeve, KE konstatoi se me gjithë angazhimin dhe pengesave të natyrave të ndryshme të ekipit përfaqësues, nuk është i kënaqur me rezultate e arritura, ndaj në ditët në vijim KE do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dalë nga kjo gjendje me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendje”, thuhet në njoftim të FFK-së.

KE edhe në herë konstatoi përmbylljen me sukses të garave të të gjitha rangjeve, konkurrencave dhe grup-moshave të reja. Po ashtu KE shqyrtoi edhe përgatitjet që po bëhen për fillimin e edicionit të ri i cili fillon më 19 gusht dhe konstatoi se gjithçka po shkon sipas dinamikës së paraparë.

KE edhe njëherë theksoi nevojën e funksionalizimin e Lidhjeve rajonale të futbollit, dhe aftësimin e zyrtarëve të klubeve, për çka janë duke u mbajtur seminare për regjistrimi i futbollistëve online(“FIFA Connect Platform”).