Sport

Vendosmëria e Batatinës për ta dërguar me çdo kusht Llapin në Evropë

Që nga pranimi i FFK-së në UEFA dhe FIFA (2016), Llapi i Podujevës dhe trajneri i saj e kanë synuar daljen në Evropë.

Deri me tani nuk kanë arritur ta realizojnë ëndrrën e madhe. Në vitin 2017 Llapi ishte shumë afër, por dështoi në finale të Kupës, ku u mposht papritur nga Besa e Pejës pas ekzekutimit të penalltive.

Tani Llapi dhe trajneri Tahir Batatina do ta kenë mundësinë e dytë. Skuadra nga Podujeva ndodhet në finale të Kupës ku do të takohet me Dukagjinin.

Është ky rast i artë për trajnerin, Tahir Batatina, i cili së bashku me vëllezërit e tij janë edhe investitorët kryesorë në klub.

Për KOHËN, Batatina tregon se asnjëherë nuk dorëzohet. Veten e quan person me karakter triumfues dhe që nuk ndalet derisa t’i arrijë gjërat që do.

“Me vite e kam kërkuar Evropën dhe asnjëherë nuk jam ndalur së punuari për të arritur Evropën. Që tetë vjet kam krijuar organizim, disiplinë sportive, i kam dhënë futbollit të Kosovës shumë talente dhe prapë jam duke i dhënë. Karakteri im është triumfues dhe nuk di të dorëzohem në asnjë formë pa e arritur objektivin tim dhe pa e realizuar ëndrrën time të fëmijërisë që të bëj gjëra të mëdha për klubin e vendlindjes”, tha Batatina, të enjten. Ai ka disa fjalë edhe për kritikët. Ka pasur shumë të tillë pas ndeshjes gjysmëfinale me Prishtinën të luajtur të mërkurën në Podujevë. Jo të gjithë janë të bindur me pastërtinë e plotë të ndeshjes, si për shumë ndeshje tjera të javëve të fundit.

“Për kritikët dhe ata që nuk besuan në mua, ju them se keni gabuar dhe nuk më keni vlerësuar drejt. Por, në fund ju them se Batatina i pranon gjithmonë kritikat profesionale. Sa u përket gjërave tjera që po flasin, fjalët nuk do të ndalen kurrë, por nuk qëndrojnë ato që thuhen”, ka theksuar Batatina, duke mohuar indirekt kurdisjet e pretenduara.

Për ta arritur ëndrrën e madhe që ka, Batatina me Llapin duhet ta mposhtin Dukagjinin në finalen e Kupës që do të luhet muajin tjetër në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Trajneri 43-vjeçar nga Podujeva pohon se nuk do ta kenë të lehtë ndeshjen kundër ekipit nga Klina që garon në Ligën e Parë dhe është afër inkuadrimit në Superligë.

“Dukagjinin e shoh skuadër shumë të fortë, solide, me lojtarë cilësorë dhe organizim të mirë, ku është afër edhe inkuadrimit në Superligë. Ka superskuadër me lojtarë të Superligës dhe do ta kemi shumë të vështirë. Por, ne do ta bëjmë të pamundurën që ta fitojmë Kupën dhe ta kapim Evropën”.

Batatina thotë se Llapi nuk ka telashe për licencim për dalje në Evropë.

“Kemi aplikuar për licencim në FFK për garat evropiane. I kemi dorëzuar të gjitha që nevojiten dhe presim që të licencohemi. Është viti i katërt radhazi që Llapi licencohet dhe në këtë aspekt jemi shumë në rregull”, tha ai.

Trajneri llapjan tashmë e ka planin e qartë nëse e siguron daljen në Evropë.

“Nëse Llapi e fiton Kupën e Kosovës, e që ka qenë synimi kryesor këtë sezon, atëherë do ta zhvillojmë një fazë përgatitore në Austri për t’u përgatitur për ndeshjet që na presin në Evropë. Po ashtu do të bëjmë të paktën katër përforcime cilësore për të qenë sa më të fortë”, tha Batatina, i cili premtoi paraqitje dinjitoze në Evropë nëse e fiton Kupën.

“Nëse e fitojmë Kupën dhe e sigurojmë pjesëmarrjen në garat evropiane, do të bëjmë të pamundurën që të prezantojmë futbollin e Kosovës në mënyrë dinjitoze. Llapi e ka obligim të paraqitet sa më mirë, sepse vjen nga qyteti dhe është skuadra e legjendës Fadil Vokrri, ku shumë breza dolën nga kjo skuadër në Evropë”.

Batatina thotë se për tetë vjet sa janë duke investuar si familje te Llapi janë harxhuar rreth 3 milionë euro.

“Që tetë vjet familja Batatina e financon klubin e futbollit Llapi. Ne jemi të lumtur që kemi mundësi të kontribuojmë për klubin e zemrës dhe për rininë llapjane. Llapin e kemi marrë në gjendje të vështirë. Por falë punës, këmbëngulësisë time dhe të vëllezërve të mi e kemi sjellë në këtë gjendje. Deri me tani si familje kemi shpenzuar rreth 3 milionë euro dhe mendoj që e kemi krijuar një superskuadër me një superorganizim”.

Tahir Batatina është në krye të Llapit për gati tetë vjet. Ai nuk e ka drejtuar asnjë skuadër tjetër. Llapi do të luajë në finale të Kupës për herë të dytë.