Sport

Ish-kampioni i Gjermanisë ëndërron pjesëmarrjen në “Tokio 2020” me Kosovën

Notari Arti Krasniqi ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin evropian për juniorë në ujëra të hapura (10 kilometra) në vitin 2017. Ai zuri vendin e pestë në Botërorin për juniorë në vitin 2016 dhe titullin e kampionit të Gjermanisë në vitin 2019. Por, Krasniqi – i lindur në Gjermani – ka vendosur më pas ta përfaqësojë Kosovën. Me Kosovën synon ta realizojë ëndrrën e madhe – paraqitjen në Lojërat Olimpike

Medalja e bronztë në Kampionatin evropian për juniorë dhe titulli i kampionit të Gjermanisë janë dy sukseset më të mëdha për notarin Arti Krasniqin. Medaljen e bronztë e fitoi në vitin 2017, ndërsa titullin në vitin 2019. Të dyja sukseset i arriti si garues i Gjermanisë.

Garat ishin në ujë të hapur, përkatësisht në 10 kilometra not. Ai vazhdon ta kërkojë suksesin në ujëra të hapura. Krasniqi në vitin 2019 vendosi ta përfaqësojë Kosovën. Suksesin më të madh Krasniqi synon ta arrijë me Kosovën. Synimi i tij është pjesëmarrja me Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Për ta arritur një gjë të tillë, Krasniqi e ka rastin të dëshmohet në ngjarjen më të rëndësishme para Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.

Në fakt, gara e notit në 10 km – që mbahet në fund të muajit të ardhshëm në Fukouka të Japonisë – është edhe garë kualifikuese për Lojërat Olimpike që mbahen verën e këtij viti.

Notuesi kosovar insiston se është duke u përgatitur maksimalisht për t’ia arritur qëllimit.

“Jam duke bërë përgatitje intensive dhe do ta jap maksimumin edhe në maratonën e Japonisë. Besoj se kam gjasa të mira, ndërsa mbetet të shohim si do të shkojë gara. Kam pasur fatin që e kam pasur edhe babin notar. Kam mësuar shumë prej tij deri në moshën 14 apo 15-vjeçare. Tani normalisht është dashur të ushtroj shumë për t’u përmirësuar. E kam dhënë maksimumin në gjitha situatat. Dëshirën e kam pasur gjithnjë për të arritur suksese edhe në nivele të larta. Do ta realizoj ëndrrën që me 21 vjet të kualifikohem në Olimpiadë. Nuk kam besuar që në këtë moshë do të më jepet kjo mundësi, por tash që jam shumë afër dua ta arrij këtë sukses”, ka thënë Krasniqi të enjten për KOHËN.

Krasniqi merr pjesë edhe në disiplina të tjera, por njihet më shumë për distanca të gjata.

Krasniqi për Kosovën pati debutuar në Lojërat e Dyta Mesdhetare të Plazhit “Patras 2019”, që u mbajtën nga 25 deri më 31 gusht, e që për Kosovën ishin të parat. Krasniqi zuri vendin e katërt në 5 kilometra.

Ai është edhe fitues i Maratonës së Batllavës për vitin 2019, në 4.2 kilometra.

Me Gjermaninë, ndër të tjerash, mori pjesë edhe në Festivalin Olimpik për të Rinj në vitin 2015 në Tbilisi, si dhe në vitin 2016 fitoi vendin e pestë në Kampionatin botëror për juniorë në ujëra të hapura.

Rrugëtimi i tij në not thotë se ka qenë goxha i vështirë. Madje, tregon se në raste edhe e ka menduar largimin.

“Pasi e kam pasur edhe babin notar kam filluar herët me ushtrime dhe e kam dashur notin. Në disa rast e kam dashur shumë, por në disa raste më pak. Por, kam vazhduar edhe pse e kam pasur vështirë të gjej motivin për të vazhduar. Këto mendime i kam pasur vetëm të momentit dhe të rralla. I kam harruar shpejt dhe kam vazhduar për të synuar rezultate të mira”, ka treguar ai.

Krasniqi tregon se para se të merrej me not për tre vjet ka qenë i angazhuar edhe në sportin e hendbollit në Gjermani. Ai u lind në Reibek të Gjermanisë, ndërsa në këtë vend edhe stërvitet me trajnerin Jorg Freyher.

“I jam falënderues Gjermanisë për mundësinë e dhënë, e po ashtu edhe lejes që ta përfaqësoj Kosovën. Me Gjermaninë mendoj se kam të arritura të mira, ndërsa tani pres të arrij edhe me Kosovën”, ka thënë Krasniqi.

Pritje të mëdha se Arti do të kualifikohet në Olimpiadë kanë edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).

Kosova aktualisht i ka të garantuar nëntë sportistë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, gjashtë me normë dhe tre me ftesa. Dy ftesa i takojnë notit dhe një atletikës, por nëse Krasniqi kualifikohet atëherë një ftesë anulohet për not.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, pret që Kosova në Tokio të udhëtojë me 13 garues.

“Unë, si president i KOK-ut, pres që ky numër të shkojë deri në 12 ose 13, gjithnjë duke llogaritur se edhe karateistët, edhe boksierja Donjeta Sadiku, do ta fitojnë normën olimpike, për çka unë uroj që të gjithë të kenë fat dhe suksese në garat që i presin”, është shprehur Krasniqi për KOHËN.