Sport

Ndonëse me shumë mungesa, Bayerni po shpreson ta eliminojë PSG-në

Mesfushori i Bayern Munichut, Joshua Kimmich, është i bindur se kampioni në fuqi i Evropës mund ta mposhtë dhe ta eliminojë Paris Saint-Germainin, për të bërë vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Kimmich mbetet optimist, përkundër mungesave të shumta që i kanë bavarezët. Bayerni të martën prej orës 21:00 do ta luajë ndeshjen e kthimit çerekfinale kundër PSG-së në stadiumin “Parc des Princes” në Paris. Për ta eliminuar Parisin, skuadrës së Bayernit i duhet ta shkrijë rezultatin e ndeshjes së parë, të cilën e humbi me shifrat 3:2, javën e shkuar në Munich.

Kimmich beson se Bayerni do t’ia dalë që ta eliminojë PSG-në, ndonëse trajneri i gjermanëve , Hansi Flick do të ketë mungesa të mëdha për ndeshjen e kthimit. Krahas mungesës së sulmuesve Robert Lewandowski e Serge Gnabry, ai nuk ka përfshirë në ekip as Niklas Suelen, Corentin Tolisson, Marco Rocan e Douglas Costan.

Për të arritur numrin minimal prej 19 futbollistëve të ftuar për këtë ndeshje, Flick është detyruar të marrë edhe tre lojtarë të ekipit të dytë. Josip Stanishiq (21) debutoi me ekipin e parë javën e shkuar, Tanguy Nianzou ka 37 minuta me ekipin e parë kurse Maximilian Zaiser (22) ende nuk ka debutuar me ekipin A.

“Jam plotësisht i bindur se ne do të avancojmë në gjysmëfinale, sepse jemi ekip shumë më i mirë. Në të vërtetë ne ishim ekip më i mirë edhe në ndeshjen e parë por për fat të keq, rezultati nuk korrespondoi me paraqitjen tonë”, është shprehur Kimmich. “Megjithatë jam optimist i madh se do t’i kthejmë gjërat në favorin tonë në Paris”.

Bayerni pati 31 gjuajtje, prej të cilave 12 ishin në portën e PSG-së, por sërish pësoi humbje në shtëpi në ndeshjen e parë. Kylian Mbappe shënoi dy herë derisa një gol tjetër realizoi Marquinhos për PSG-në që gjatë tërë ndeshjes regjistroi vetëm katër gjuajtje në portë.

“Në ndeshjen e parë ata kërcënuan tri herë dhe shënuan tre gola. Përveç kësaj, unë nuk e di se Parisi pati raste të tjera. Në përgjithësi ne sulmuam, patëm posedimin e topit dhe krijuam më shumë raste. Në ndeshjen e kthimit duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha rastet, sepse synimi është të avancojmë tutje”, është shprehur Kimmich.

Trajneri i Bayernit, Hansi Flick ka pranuar se ka shumë mungesa, por ai beson se futbollistët që do t’i ketë në dispozicion, do ta kryejnë punën. Madje ka shtuar se pret që lojtarët si Leon Goretzka, Lucas Hernandez, Jerome Boateng e Kingsley Coman që kishin shqetësime ditëve të fundit, të jenë të gatshëm për lojë. Ngjashëm si Kimmich, edhe Flick ka kërkuar fitore ndaj PSG-së.

“Duhet ta përfundojmë punën tonë, pra të kualifikohemi. Duhet ta detyrojmë Parisin të bëjë shumë gabime, të cilat do t’i shfrytëzojmë për ta eliminuar. Nuk është mision i lehtë, por unë besoj në befasi. Kështu që do të dalim në fushë për të bërë një befasi të vogël”, tha Flick.

Në anën tjetër, trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, ka pranuar se synimi i tij është të triumfojë këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Ai para tre muajve mori drejtimin e PSG-s pas shkarkimit të Thomas Tuchelit për ta udhëhequr ekipin drejt suksesit në Champions. Sezonin e shkuar PSG-ja u mposht në finalen e Championsit nga Bayerni me rezultatin minimal 1:0.

Dhe Pochettino tani ka rastin ideal t’i hakmerret Bayernit, duke e eliminuar në çerekfinale. Pochettino ka thënë se gjasat janë të vogla që në ndeshjen e kthimit t’i ketë në dispozicion Marco Verrattin dhe Marquinhosin, që janë të lënduar. Madje, Marquinhos u dëmtua në ndeshjen kundër Bayernit dhe u zëvendësua pak minuta pasi shënoi golin.

“Për ne ishte me rëndësi që e mposhtëm Barcelonën, por kundër Bayernit do të jetë edhe më vështirë, sepse përballemi me ekipin, që për mendimin tim, është më i miri në botë. Natyrisht synimi është që ta fitojmë edhe ndeshjen e kthimit për ta konfirmuar kalimin në mesin e katër skuadrave më të mira të Evropës”, është shprehur Pochettino. “Qasja në këtë ndeshje duhet të jetë krejtësisht ndryshe prej asaj kundër Barcelonës. Duhet të mbrohemi mirë, por edhe të sulmojmë dhe t’i shkaktojmë telashe Bayernit. Kjo është një sfidë të cilën besoj se do ta tejkalojmë”.

Te Bayerni si rrezikun më të madh edhe në ndeshjen e kthimit po e shohin sulmuesin Mbappe. Sulmuesi i Bayernit, Thomas Mueller ka insistuar se do t’i ndërmarrin të gjitha masat për ta ndaluar Mbappen, i cili në duelin e parë ishte i pandalshëm.

“Mbappe është rreziku më i madh për ne dhe është e rëndësishme që mos t’i lejojmë hapësirë”, ka insistuar Mueller.

Skuadra që kalon në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, përballë do ta ketë fituesin e çerekfinales tjetër, që zhvillohet të mërkurën ndërmjet Manchester Cityt dhe Borussia Dortmundit.

Të martën prej orës 21:00 zhvillohet edhe një duel tjetër çerekfinal, ai ndërmjet Chelseat dhe Portos që do të luhet në stadiumin “Ramon Pizujan Sanchez” në Sevilla ku londinezët janë në rolin e nikoqirit. Chelsea me një këmbë është në gjysmëfinale pasi ndeshjen e parë të luajtur në Portugali, e ka fituar me rezultatin 2:0. Te skuadra londineze insistojnë se ende nuk e kanë të sigurt kualifikimin tutje.

“Asgjë nuk ka përfunduar dhe këtë e kemi parasysh të gjithë. Ne nuk do të dalim në fushë të relaksuar, sepse ende nuk e kemi përfunduar edhe gjysmën tjetër të punës. Është e rëndësishme të kemi paraqitje të mirë sikurse në ndeshjen e parë. Kemi një rezultat të favorshëm por asgjë nuk është e garantuar. Duhet patjetër ta fitojmë edhe ndeshjen e dytë”, është shprehur mbrojtësi i Chelseat, Ben Chilwell. “Porto është një kundërshtare e papërshtatshme dhe me siguri se do ta kërkojë golin prej fillimit të ndeshjes. Jemi të gatshëm dhe besoj në një paraqitje të fuqishme edhe këtë herë”.

Ndërkohë, trajneri i Portos, Sergio Conceicao ka insistuar se futbollistët e tij nuk janë dorëzuar dhe se do të përpiqen të bëjnë befasinë e radhës në Champions pas eliminimit të Juventusit në 1/8 e finales.

E martë (21:00)

PSG – Bayern M. (3:2)

Chelsea – Porto (2:0)

*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para