Sport

FFK-ja përkrah Challandesin, por s’ia garanton gjatë vendin në stolin e Kosovës

Përzgjedhësi Bernard Challandes në krye të Kosovës u emërua në mars të vitit 2018. Në 28 ndeshje nën drejtimin e trajnerit zviceran, Kosova ka shënuar 12 fitore, shtatë barazime dhe nëntë humbje. Por FFK-ja përkrah Challandesin, ndonëse nuk ia garanton edhe gjatë vendin në stolin e Kosovës

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, është përballur me kritika të ashpra nga ata që e përcjellin futbollin në Kosovë. Kritikat në adresë të Challandesit kanë nisur qëkur Kosova u eliminua në gjysmëfinale të plejofit për “Euro 2020” nga Maqedonia e Veriut në tetor të vitit të shkuar. Edhe më të ashpra kritikat janë bërë pas dy disfatave, nga Suedia dhe Spanja, në ciklin kualifikues për Botërorin “Katari 2022”. Por Challandes ka përkrahjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndonëse nuk ia garantojnë edhe gjatë vendin në stolin e Kosovës.

Në përgjigjet e FFK-së dhënë të mërkurën mbrëma për KOHËN konfirmohet se Challandes mbetet edhe më tutje në krye të “Dardanëve”.

“Jo vetëm e ardhmja e Challandes po e secilit selektor varet nga të arriturat dhe rezultatet. Tani për tani Bernard Challandes është selektor i kombëtares së Kosovës në futboll. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen, vendosim në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e FFK-së.

Kosova në fund të muajit të kaluar humbi nga Spanja me rezultatin 3:1, ndërsa u mposht edhe nga Suedia në Prishtinë me rezultat të thellë 3:0. E fitoi Lituaninë në miqësore thellë 4:0. Por viti i kaluar ishte dëshpërues për Kosovën. Pati gjashtë humbje, dy barazime dhe një fitore. Madje dëshpërimi më i madh ishte pas disfatës nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të plejofit për evropianin që mbahet këtë verë. Maqedonia e Veriut do të luajë në Evropian. Challandes në krye të Kosovës u emërua në mars të vitit 2018. Në 28 ndeshje nën drejtimin e trajnerit zviceran, Kosova ka shënuar 12 fitore, shtatë barazime dhe nëntë humbje.

“Bernard Challandes është po i njëjti përzgjedhës kur Kosova për disa ndeshje me radhë u rezistonte humbjeve dhe shënonte fitore. Në garë përballesh herë me të ligun e herë me të fortin, prandaj po s’i pranove edhe humbjen, edhe fitoren nuk mund të jesh pjesë e lojës. Sigurisht se rezultatet nuk mund të jenë gjithmonë pozitive, sepse kundërshtari nuk është gjithmonë i njëjtë. Andaj koha i dëshmon të gjitha, suksesin dhe dështimin, prandaj le t’i japim kohë edhe selektorit Challandes. Ne sigurisht se diskutojmë bashkë dhe në këso raste tentojmë të identifikojmë problemin dhe këtë po e bëjmë”, thuhet tutje në përgjigjet e FFK-së duke iu referuar rezultateve pozitive të Kosovës në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, ku falë fitoreve arritën të dalin të parët në Grupin 3 të Ligës D.

Siguruan kalimin në Grupin C, në të cilën mbetën falë fitores së arritur në fund të ciklit. Por Kosova e nisi me rezultate negative ciklin kualifikues për Kampionatin Botëror të futbollit, “Katari 2022”. Fillimisht u mposht nga Suedia në Prishtinë kurse humbi edhe nga Spanja në Sevilla me rezultatin 3:1. Disfata nga spanjollët superiorë, megjithatë, po shihet si përvojë e madhe e Kosovës për ndeshjet e radhës. Kosova bën pjesë në Grupin B kualifikues për Botërorin e vitit 2022, që do të mbahet në Katar. Kjo është hera e dytë që “Dardanët” po marrin pjesë në eliminatore për Botëror. Pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, Kosova renditet në pozitën e fundit me zero pikë. Në këtë grup Spanja është lidere me shtatë pikë pas tri ndeshjeve. Suedia zë vendin e dytë me gjashtë pikë nga dy takime, Greqia ka dy pikë në vendin e tretë, kurse Gjeorgjia është e katërta me një pikë. Ndeshjet e ardhshme kualifikuese, Kosova i luan në shtator. Më 2 shtator luhet ndeshja Gjeorgji – Kosovë.

“Edhe në ato raste kur nuk jemi më të mirët, kur nuk arrijmë rezultatet e dëshiruara ne duhet të jemi pozitivë. Dikur Kosova ka ëndërruar të përballet me kombëtare të mëdha si Suedia dhe Spanja derisa së fundmi zyrtarisht luajtëm kundër tyre. Kjo do të thotë se ne kemi arritur diku, e as që do të ndalemi këtu. Për të arritur deri tek suksesi duhet kaluar sfida, prandaj edhe këto ndeshje ishin një ndër sfidat e Dardanëve. Sigurisht se ne kërkojmë rezultate pozitive dhe pavarësisht vështirësive që do të na i shkaktojnë skuadrat e grupit, ne dëshirojmë t’ia rikthejmë formën e mirë që dikur e kishim dhe të korrim suksesin e merituar në grupin që jemi”, përgjigjet FFK-ja.

Në fakt, përveç opinionit në vend, kritika pati edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, që njoftoi se nuk do të luajë më për Kosovën për aq kohë sa përzgjedhës do të jetë Challandes. Por, në fakt, telashet janë të mëdha. Gjatë grumbullimit për tri ndeshjet e muajit të kaluar FFK-ja e përjashtoi portierin e parë Arijanet Muriq për thyerje të disiplinës. KOHA ka mësuar se Muriqi ishte paraqitur i dehur në qendrën e fitnesit në hotelin “Emerald”, ku edhe Përfaqësuesja akomodohet në çdo grumbullim. Ndërkohë, ka edhe pakënaqësi të tjera. Në FFK pranojnë se ka pakënaqësi, por presin të respektohet fanella e Kosovës.

“Rezultatet jo të mira gjithmonë sjellin pakënaqësi jo vetëm tek masa, por edhe brenda përbrenda skuadrës dhe sigurisht se është normale pasi bie motivi. Si rrjedhojë, përjetimi është relativ dikush e përjeton më lehtë e dikush më vështirë. Vendimi i Leartit vjen edhe si rrjedhojë e mossuksesit të ‘Dardanëve’ në ndeshjet e fundit, po të ishin rezultate tjera nuk e besoj se do t’ia shihnim reagimin e tij. Pastaj momentin që pranon ta veshësh fanellën e Kosovës duhet ta dish që t’i ke pranuar të sakrifikosh për të. Prandaj besoj se jo vetëm Learti, por edhe ata që mendojnë si Learti duhet të sakrifikojnë, sepse vjen një ditë që gjithçka do t’ia vlejë. Është nder të jesh i grumbulluar dhe pjesë e 24 më të mirëve të përzgjedhur të një kombëtareje, prandaj duhet ta vlerësojmë më shumë se kaq fanellën ‘Dardane’”, ka shkruar në përgjigje FFK-ja për KOHËN.