Sport

Parisi kërkon t’i revanshohet Bayernit për humbjen në finalen e kaluar

Descriptive Text

Paris Saint-Germaini do të kërkojë hakmarrje për disfatën në finalen e sezonit të kaluar, kur të përballet me Bayern Munichun në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Gjigandi francez duket se ka bërë hapa prapa që nga ajo finale, pavarësisht se në krye të ekipit ka ardhur Mauricio Pochettino si trajner.

Dueli mes Bayernit dhe PSG-së do të zhvillohet të mërkurën mbrëma (21:00) në stadiumin “Allianz Arena”.

Lajmi për mungesën e sulmuesve Robert Lewandowski e Serge Gnabry te Bayerni është mirëpritur te PSG-ja, sidomos duke pasur parasysh se francezët pritet ta kenë të gatshëm brazilianin Neymar që është rikuperuar tërësisht nga lëndimi. Lewandowski është i lënduar dhe do t’i mungojë Bayernit edhe për disa javë, derisa Gnabry ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus një ditë para përballjes. Te kampioni në fuqi i Evropës, Bayerni, kanë pranuar se mungesa e dy sulmuesve kryesorë do të ndihet ndaj PSG-së, por trajneri Hansi Flick është optimist në një rezultat pozitiv. Ai beson te lojtarët që i ka në dispozicion.

“Për Parisin mund të jetë lajm i mirë mungesa e dy sulmuesve tanë, por ne jemi të gatshëm pasi besoj se lojtarët e tjerë do të mbulojnë këtë zbrazëti. Gjithashtu këtë përballje nuk e konsideroj si përsëritje të sezonit të shkuar pasi për ne është një ndeshje e re. Parisi ndoshta mund të kërkojë të na revanshohet dhe për këtë i kam paralajmëruar edhe futbollistët”, është shprehur Flick të martën në konferencën për shtyp. “Kemi respekt të madh për Parisin që në përbërje ka top sulmues, si Kylian Mbappe e Neymar. E kemi parasysh forcën e tyre sulmuese dhe duhet të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm pasi mund të ndëshkohemi në çdo moment. Është një top kundërshtar dhe një prej ekipeve favorite për të triumfuar këtë sezon”.

Parisit në këtë ndeshje i mungon Alessandro Florenzi për shkak të koronavirusit, por trajneri Pochettino shpresat më të mëdha i ka te Neymari. Sulmuesi brazilian në dy ndeshjet e fundit kampionale është kthyer në fushë nga lëndimi dhe së bashku me Mbappen, do të jenë rreziku më i madh për portierin gjerman Manuel Neuer.

Bayerni e pati mposhtur edicionin e shkuar PSG-në në finale me rezultatin 1:0 dhe atëbotë në krye të francezëve ishte trajneri Thomas Tuchel, i cili u zëvendësua muaj më parë nga Pochettino.

PSG-ja nuk ka treguar rezultate të mira nën drejtimin e trajnerit argjentinas. Këtë edicion PSG-ja i ka humbur dhjetë ndeshje, përfshirë tri nga gjashtë duelet e fundit. Ka rënë në pozitën e dytë në tabelë me 66 pikë, tri më pak se Lille.

“Është e vërtetë që kemi pasur ulje dhe ngritje këtë sezon, por kur bëhet fjalë për Ligën e Kampionëve, atëherë nuk guxojmë të gabojmë. Kështu që synimi është të avancojmë tutje dhe të kualifikohemi në mesin e katër skuadrave më të mira të Evropës dhe të kemi rezultat më të mirë se sezonin e shkuar”, është shprehur mbrojtësi i PSG-s, braziliani Marquinhos. “Humbja e edicionit të shkuar ishte e dhimbshme dhe tani kemi një rast të mirë për t’u hakmarrë ndaj Bayernit që edhe këtë edicion ka një skuadër fantastike”.

Trajneri Pochettino është i vendosur për t’ia shkaktuar humbjen e parë Bayernit në Champions pas një serie prej 19 ndeshjeve pa disfatë, e cila nisi në muajin mars të vitit 2019. Para duelit me Bayernin, ekipi francez në 1/8 e finales ka eliminuar Barcelonën. PSG-ja në vizitën e fundit në Munich, atë të vitit 2017 kur drejtohej nga Unai Emery, është mposhtur nga Bayerni me shifrat 3:1.

“Përballemi me ekipin më të mirë të momentit në kontinent. Por personalisht jam optimist i madh. Ne tashmë e kemi eliminuar Barcelonën dhe ndaj Bayernit futemi pa frikë. Kemi punuar mirë gjatë kësaj periudhe dhe besoj se qysh në ndeshjen e parë mund të marrim një rezultat të mirë për të qenë më të qetë në ndeshjen e kthimit”, është shprehur Pochettino. “Synimi im nuk është hakmarrja për finalen e sezonit të kaluar pasi unë nuk mendoj për të shkuarën, por për të tashmen”.

Nuk është vetëm PSG-ja që po synon të avancojë tutje në Champions. Edhe ish-trajneri i gjigantit francez, Thomas Tuchel, që tani është në krye të Chelseat, po kërkon suksesin në garën elitare të Evropës. Tuchel pati një start të mirë te Chelsea, i cili u prish vikendin e shkuar kur londinezët u mposhtën në “Stamford Bridge” nga West Bromwich Albioni me rezultatin 5:2. WBA-ja u bë ekipi i parë që realizoi ndaj Chelseat pesë gola në shtëpi brenda një dekade. Kjo humbje ishte e para për Tuchelin si trajner i Chelseat, i cili kishte një seri prej 14 ndeshjeve pa disfatë. Tani Tuchel po synon që atë humbje ta kompensoj me fitore në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Chelsea të mërkurën mbrëma është mysafire e Portos, ekip që në 1/8 e finales e eliminoi kampionin e Italisë, Juventusin.

“Humbja e javës së shkuar mendoj se ishte një alarm zgjimi për të gjithë ekipin tonë. Besoj se do të kthehemi fuqishëm dhe përgjigjen tonë do ta japim ndaj Portos. Është ndeshje e rëndësishme, të cilën duhet ta fitojmë patjetër. Synimi ynë është të avancojmë tutje dhe për ta bërë këtë duhet të tregohemi superior”, është shprehur Tuchel. “Natyrisht, Porton e respektojmë sepse është një ekip që ka përvojë në Champions dhe rastësisht nuk ka ardhur deri këtu. Na pret një përballje e fortë, por besoj se ekipi do të reagoj pas asaj që ndodhi vikendin e shkuar”.

Ndërkohë, trajneri i Portos, Sergio Conceicao, ka thënë se futbollistët e tij tashmë kanë lënë pas vetes triumfin ndaj Juventusit dhe gjithë fokusin kohët e fundit e kanë pasur te përballja me skuadrën e Chelseat.

“Ne tashmë e kemi harruar Juventusin pasi ndeshjet me Chelsean janë shumë të rëndësishme për ne. Duhet të tregojmë pasion të madh dhe të punojmë si ekip në fushë nëse duam të arrijmë diçka më shumë. Jemi përgatitur mirë dhe e respektojmë Chelsean. Mirëpo ne duam ta fitojmë këtë ndeshje që e luajmë në shtëpi. Mendoj se mund ta bëjmë një gjë të tillë si ekip i bashkuar”, është shprehur Conceicao.

Ndeshjet e kthimit janë më 13 prill.

E mërkurë (21:00)

Bayern M. – PSG

Porto – Chelsea