Sport

Besa e Ferizaj heqin dorë nga ëndrra evropiane

Klubet e futbollit Besa dhe Ferizaj nuk do të lejohen të dalin në gara evropiane, edhe nëse ndonjëra nga to fiton Kupën e Kosovës në futboll.

Këto dy skuadra kanë lënë në gjysmë procesin e licencimit për gara evropiane dhe afati tashmë ka kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Besa e Ferizaj, që janë kualifikuar në çerekfinale të Kupës, nuk e kanë respektuar afatin për kriterin ligjor. Afati për dorëzimin e formularit të plotësuar dhe dokumentacionit mbështetës për kriterin ligjor ishte deri të dielën, kanë bërë të ditur zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, të hënën.

Besa në çerekfinale të Kupës së Kosovës do të përballet me Prishtinën, kurse Ferizaj me Drenicën. Procesin për licencim nuk e kanë vazhduar as Hajvalia, Drita e Gjilani, të cilat skuadra edhe ashtu nuk kanë gjasa të dalin në gara evropiane, pasi janë larg nga kreu i renditjes sa i përket titullit dhe janë eliminuar nga Kupa. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.