Sport

Kozniku: Kosova dështoi taktikisht, mëkat që me këta lojtarë nuk shfaqëm shumë më tepër

Ardian Kozniku i vlerëson shumë lart lojtarët që ka Kosova, sidomos ata në mesfushë dhe në sulm. Dhe ai është i bindur se Kosova ndaj Suedisë, bazuar në potencialin që ka, është dashur të shfaqej shumë më tepër.

Kozniku ka vlerësuar se Kosova në ndeshjen e së dielës mbrëma ka dështuar në aspektin taktik. Pra, përgjegjësinë për humbjen 3:0 ia lë përzgjedhësit Bernard Challandes.

Kozniku është prej emrave më të njohur të futbollit kosovar. Ai ishte pjesë e Përfaqësueses së Kroacisë me të cilën fitoi medaljen e bronztë në Botërorin 1998. Kozniku nuk u aktivizua në Botëror, por mori medaljen si pjesë e ekipit kroat. Ish-sulmuesi ka shtatë ndeshje e dy gola për Kroacinë. 53-vjeçari është paraqitur edhe në disa ndeshje për Kosovën, në periudha të vështira, kur jo të gjithë pranonin të vishnin fanellën e saj.

“Suedia nuk ka dominuar në fushë, për shembull si Anglia ndaj Shqipërisë. Na ka mposhtur taktikisht. Me topa të gjatë është gjetur Ibrahimoviqi, që ka dominuar plotësisht ndaj mbrojtësve tanë. Dhe më pas Ibra ka përcjellë topin e dytë te lojtarët e tjerë. Suedia e ka merituar fitoren, por nuk është që na ka shkelur me lojë. Vendimtar ishin topat e gjatë në drejtim të Ibrahimoviqit”, ka thënë Kozniku të hënën për KOHËN.

Ai është duke punuar si trajner në Kuvajt te skuadra Al-Arabi. Është në ekip me Ante Mishen, ndërsa Al-Arabi po udhëheq në tabelë.

“Ne kemi lojtarë fantastikë në aspektin individual. Janë lojtarë të papërshtatshëm për kundërshtarët, sidomos lojtarët e mesfushës dhe të sulmit. Por mbrëmë ka munguar organizimi në ndeshje. Nuk i kemi shfrytëzuar lojtarët e shpejtë që i kemi. Ka munguar organizimi, kemi luajtur të shkapërderdhur. Nuk është ditur se a po sulmojë apo po mbrohemi”, ka theksuar Kozniku, që nuk i fsheh ambiciet për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës.

Kozniku ka kohë që ka pretenduar drejtimin e Kosovës, ndërsa thotë se pozita e selektorit i ishte premtuar. Thotë se është i dëshpëruar me drejtuesit e Federatës.

“Insistoj që organizimi i lojës nuk ishte i duhuri. Nuk kemi qenë të përgatitur për ndeshje. Taktikisht ka dështuar Kosova mbrëmë. Dhe kur dështimi është taktik, përgjegjësia i takon trajnerit. Kosova ka lojtarë fantastikë, sidomos në mesfushë e në mbrojtje. Është mëkat që me lojtarë çfarë i kemi, të bëjmë paraqitje të tillë, që të humbim aq lehtë. Me lojtarët që kemi, mund t’i bëjmë dëm çdo kujt. Por dje ishim të shkapërderdhur. Rrahmani e Dresheviq ishin mungesa të mëdha, por në Përfaqësuese mungesat duhet të mbulohen”, ka theksuar Kozniku.

Sipas tij, ndaj Spanjës, Përfaqësuesja duhet të jetë dukshëm më kompakte dhe të mos lejojë hapësirë. Ndeshja Spanjë – Kosovë luhet të mërkurën në Sevilla.

“Do të jetë shumë vështirë. Por rastin duhet ta kërkojmë vetëm përmes kundërsulmeve”, ka theksuar Kozniku, ish-futbollisti i skuadrave të ndryshme evropiane.