Sport

Zeneli: Suedia më ka ndihmuar të bëhem ai që jam sot

Arbër Zeneli ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Suedisë në futboll. Për të do të jetë ndeshje e veçantë. Ai e fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2015 me Suedinë, me grupmoshën U-21.

Zeneli ishte në formë të mirë në duelin e mesjavës, kur Kosova fitoi ndaj Lituanisë në miqësore me rezultatin, 4:0. Dy prej atyre golave i realizoi 26-vjeçari Zeneli. Zeneli shpreson që të realizojë gol edhe ndaj Suedisë të dielën në mbrëmje.

“Siç e tha edhe trajneri, kemi folur për këtë ndeshje, e dimë se do të jetë një ndeshje e rëndësishme. Brenda ekipit të Suedisë ka lojtarë të klasit botëror. E kanë Zlatanin në ekip, janë shumë të fortë. Megjithatë, ne duhet ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë”, theksoi Zeneli, futbollist i Reimsit në Francë.

“Do të jetë ndeshje e veçantë për mua. Kam luajtur me Suedinë prej moshës 15-vjeçare. Më ka ndihmuar të bëhem Arbëri që jam sot. Mendojmë vetëm për fitore, do të përgjigjemi në mënyrën më të mirë. Ne shkojmë për pikët e plota”, përfundoi ai.