Sport

Ibra mendon për duelin me Kosovën

Ylli i Përfaqësueses së Suedisë, Zlatan Ibrahimoviq ka thënë se është i gatshëm për duelin me Kosovën por varet nëse përzgjedhësi Janne Andersson do ta inkuadrojë në lojë. Suedia, të dielën luan kundër Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Për Kosovën, kjo do të jetë ndeshja e parë në këtë cikël derisa për Suedinë e dyta.

Suedia, të enjten mbrëma në ndeshjen e parë, triumfoi ndaj Gjeorgjisë me rezultatin minimal 1:0. Në këtë ndeshje, Ibra luajti për herë të parë te Suedia pas gati pesë vjetësh.

Ai ishte titullar te Suedia dhe asistoi në golin e vetëm që e shënoi Viktor Claesson (35’) derisa luajti deri në minutën e 84-të. “Unë jam i gatshëm për ndeshjen e radhës por gjithçka varet nga përzgjedhësi Janne Anderson se me cilin formacion apo lojtarë dëshiron të paraqitet. Tash, më mbetet të rikuperohem deri te ndeshja e radhës”, është shprehur Ibrahimoviqi.