Sport

Dakun nuk do ta kënaqnin rekordet nëse Ballkani nuk e fiton titullin

Sulmuesi Mirlind Daku vazhdon të shkëlqejë me Ballkanin në Superligën e Kosovës në futboll. Të dielën, Daku shënoi gol për ekipin nga Suhareka në fitoren 2:0 si mysafir të Trepçës ’89.

Për futbollistin nga Gjilani, ishte goli i 26-të në këtë edicion me Ballkanin. Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë në elitë. Vendin e dytë me nga tetë gola të shënuar e mbajnë Marciel Santos i Arbërisë, Kastriot Rexha i Dritës, Darko Nikaq i Gjilanit dhe Marko Simonovski i Feronikelit.

22-vjeçari është vetëm dy gola larg rekordit që e mban Otto Johni. Nigeriani kishte shënuar 28 gola me Trepçën ’89 në edicionin 2016/2017 dhe mbetet shënuesi më i mirë brenda një sezoni pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ndërkohë rekordin brenda një edicioni në Superligë e mban Fitim Haliti me 38 gola të shënuar me Besën në kampionatin 2007/2008.

Daku ka deklaruar pas ndeshjes kundër Trepçës ’89 se statistikat flasin vet për formën e tij. Megjithatë, Daku thotë se nuk do të kënaqej me golat e tij, nëse Ballkani nuk i arrin synimet që ka në këtë sezon.

“Vetë statistikat tregojnë që ka qenë një sezon shumë i mirë për mua. Por, nëse nuk arrihen objektivat e klubit, këto statistika nuk do të vlenin asgjë për mua. Kështu që shpresoj që të arrihen objektivat e klubit në fund të sezonit dhe ky mund të na shpërblehet të gjithë lojtarëve”, tha Daku.

Ai nuk është ftuar për ndeshjet e muajit mars që do t’i luajë Kosova. Kurse nuk ka të drejt të luajë për Kosovën U21, pasi e ka kaluar moshën.

Në stadiumin “Riza Lushta”, Daku u përcoll nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes. Ai ishte i pranishëm në ndeshjen, Trepça ’89 – Ballkani.

Daku theksoi se nuk e ka ditur që Challandesi do ta shohë nga afër ndeshjen. Ai edhe një herë pohoi se është i gatshëm të japë më të mirë atëherë kur Kosova ka nevojë.

“Sa i përket ftesës ose jo, aty vendos trajneri. Nuk kam qenë i informuar para ndeshjes që trajneri do të jetë në stadium. Unë e bëj punën time dhe puna e trajnerit është t’i shikoj lojtarët. Nëse ai mendon që unë duhet të ftohem, atëherë unë jam i gatshëm. Jam i gatshëm edhe për hera të tjera që të ftohem. Jam gati që të jap edhe atomin e fundit për Kosovën”, tha Daku.

Ai insiston që do të punojë edhe më shumë që në të ardhmen të ftohet nga Kosova.

Sulmuesi kosovar e pranoi se po të ftohej në ndeshjet e marsit, do të ishte shumë pozitive edhe për të ardhmen e tij në fund të sezonit.

“Unë do të punoj dhe nuk do të ndalem. Normal që do të ishte motiv ndryshe nëse do të grumbullohesha më shpesh me Kosovën. Po ashtu, do të më ndihmonte që ndoshta në fund të sezonit për të ikur diku për transferim. Unë jam i kënaqur me formën që po kaloj dhe nëse me jepet mundësia, do të jap më të mirën për Kosovën”, deklaroi Daku.

Mirlind Daku është i huazuar te Ballkani nga klubi kroat, Osijek. Ai ka kontratë me Osijekun deri në vitin 2022. Për KOHËN, Daku kishte deklaruar javën më parë se Ballkani po synon të blejë kartonin e tij, gjë e cila nuk është realizuar deri me tani. Ai pritet të rikthehet në Kroaci në fund të sezonit e më pas të vendosë për të ardhmen. Për sulmuesin e Ballkanit është raportuar se ka interesime të mëdha nga disa klube evropiane. Daku ka qenë i huazuar edhe te Kukësi në Shqipëri. Si lojtar është rritur në Gjilan, por që nuk i është dhënë mundësia të paraqitet te Gjilani dhe Drita. Më pas luajti te Hajvalia, kurse shkëlqimin e gjeti te Llapi i trajnerit Tahir Batatina. Nga Llapi kishte kaluar te Osijeku në Kroaci në verën e vitit 2018.