Sport

Përballja e veçantë e Zenelit me shtetin me të cilin e fitoi Evropianin

Descriptive Text

Arbër Zeneli nuk luajti asnjë minutë për Përfaqësuesen U21 të Suedisë në Kampionatin Evropian të vitit 2015. Por, emri i Zenelit është i shkruar në suksesin e gjashtë vjetëve më parë të suedezëve. Ai me grupmoshën nën 21 vjeç e fitoi titullin e Evropës, ndërsa ndaj Suedisë do të përballet më 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Është kjo ndeshja e parë e Kosovës në kuadër të ciklit të saj të dytë kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Përballja kundër Suedisë për Zenelin, njërin prej lojtarëve kyç te Kosova, është e veçantë. Edhe pse ka kujtime të mira me Suedinë, Zeneli tani sukseset i synon me fanellën e Kosovës.

“Me Suedinë kam kujtime të bukura. Jam rritur duke luajtur për Suedinë. Jam edhe kampion i Evropës me grumposhën U-21. Do ta kujtoj gjithmonë këtë të arritur, por tani jam pjesë e Kosovës dhe synoj suksese edhe me fanellën e Kosovës”, ka thënë Zeneli të premten për KOHËN.

Megjithatë, Zeneli thotë se periudhë edhe më të bukur po kalon te Kosova. Madje, kërkon veç fitore kundër vendit ku ka lindur dhe është zhvilluar si profesionist. Zeneli ishte edhe kandidat për të luajtur për ekipin “A” të Suedisë. Por, ai zgjodhi të luajë për Kosovën.

“Ndjenjat e mia janë të veçanta, sepse kam pasur mundësi të jem edhe në Përfaqësuesen A të Suedisë. Por, e kam dëgjuar zemrën dhe ajo më drejtoi nga vendlindja e prindërve të mi dhe për këtë arsye pata pranuar ftesën e Kosovës me kënaqësinë më të madhe. Tani ndaj Suedisë në ndeshje kërkoj veç fitore, asgjë tjetër”, është shprehur Zeneli.

Në fakt, ardhja e Zenelit te Kosova, që nis grumbullimin të hënën në Prishtinë, është ende e pasigurt. Por, ka një angazhim që Zeneli, Valon Berisha dhe Bersant Celina të jenë pjesë e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji. I gjithë angazhimi ka ardhur pas një komunikate të lëshuar nga klubet e Ligue 1 dhe Ligue 2 të Francës, ku thuhet se nuk do t’i lirojnë lojtarët e huaj për të luajtur me përfaqësueset e tyre për ndeshjet që janë jashtë shteteve të Bashkimit Evropian, për shkak të rregullave strikte të karantinës për COVID-19. E, në rast se nuk bëhet një zgjidhje, atëherë ky vendim apo rregull do ta prekë edhe Përfaqësuesen e Kosovës, pasi tre lojtarët kryesorë – Valon Berisha, Arbër Zeneli e Bersant Celina – luajnë në Ligue 1 të Francës. Derisa Berisha e Zeneli janë pjesë e skuadrës së Reimsit, Celina aktivizohet te Dijoni. Karantina dyjavore në Francë nis pas ndeshjeve të fundjavës, kur përfaqësueset nacionale evropiane pritet ta nisin kampanjën kualifikuese për Botëror.

Shatë gola në 34 ndeshje për shtetin skandinav

Image

Kosova, fillimisht më 24 mars, luan miqësore me Lituaninë e më pastaj ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” e luan në Prishtinë më 28 mars kundër Suedisë, përpara se të përballet në udhëtim me Spanjën më 31 mars. Zeneli shpreson dhe beson se do të jetë në fushë te Kosova kundër Suedisë.

“Shpresoj të luaj, sepse për mua do të jetë një moment i veçantë”, ka deklaruar Zeneli, ndër futbollistët më të rëndësishëm te Kosova.

I rëndësishëm, Zeneli ishte edhe në grupmoshat e reja të Suedisë. Suedia thotë se u ka dhënë shumë atij dhe familjes së tij, për çka edhe është falënderues.

“E admiroj edhe Suedinë si shtet, si vend ku jeton familja ime, e cila gëzon respekt të madh”, ka thënë Zeneli.

Zeneli për grupmoshat e Suedisë ka luajtur në total 34 ndeshje, ndërsa ka shënuar shtatë gola. Se familja e Zenelit vazhdon të gëzojë respekt në Suedi, ani pse Arbëri vendosi ta lërë për ta përfaqësuar Kosovën, e thotë edhe babai i tij, Avniu.

“Suedia na ka dhënë gjithçka. Suedia na ka trajtuar si të ishim suedezë. Nuk bëjnë dallim. Televizionet këtu në Suedi kanë intervistuar Arbërin pasi zgjodhi të luajë për Kosovën. Ka ndikuar vendimi i Arbërit si te suedezët, ashtu edhe te përzgjedhësi Janne Andersson. Kanë shkruar shumë, këtë e di edhe Albert Bunjaki. Janë befasuar me vendimin e Arbërit. E kam të incizuar edhe në Holandë kur është marrë në intervistë. Janë befasuar, por edhe e kanë përjetuar rëndë, sepse e kanë pasur në plane. Por, Arbëri vendosi me zemër për Kosovën”, ka thënë Avni Zeneli, që jeton në Suedi me familje.

Sulmuesi i krahut, Zeneli, thotë se kujton momentin kur pati marrë ftesë për herë të parë nga Përfaqësuesja U-17 e Suedisë.

“Momenti më interesant është kur jam ftuar për herë të parë në U17 të Suedisë dhe më pas edhe në grupmoshat e tjera të Suedisë, si dhe në Evropianin ku edhe fituam titullin e kampionit, është diçka e veçantë për mua”, ka thënë Zeneli.

Ibrahimoviqi, i pëlqyeri i Arbërit

Zeneli karrierën e nisi në Elfsborg, një nga klubet më me emër në Suedi. Luajti si profesionist deri në janar të vitit 2016, për ta bërë më pas hapin e radhës në karrierë, që doli edhe të ishte i qëlluar. Ai u transferua në Holandë, te skuadra e Heerenveenit, ku edhe shkëlqeu. E, në janar të vitit 2019, Zeneli bëri një hap tjetër të madh në karrierë. U transferua te Stade de Reims në Francë, klub me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2023.

“Talenti nuk i ka munguar, ka qenë ndër më të dalluarit edhe si fëmijë. Sa ishte pjesë e gjeneratave të reja të Elfsborgut, vazhdimisht është ftuar te Suedia. Ia ka dalë pavarësisht konkurrencës, por edhe ka depërtuar në ekipin e Suedisë. Trajneri i U17 të Suedisë ka qenë i kënaqur shumë me talentin, por edhe disiplinën e Arbërit, ndërsa kur ka dalë në U19 e fitoi vetëbesim dhe nuk ndalej së kërkuari suksesin”, ka thënë Avni Zeneli.

Zeneli tani është në nivel të lartë. Me Kosovën ka përballje ndaj shteteve të mëdha. Dueli me Suedinë do të jetë edhe më i veçantë për Zenelin, pasi përballë do ta ketë idhullin e tij, yllin Zlatan Ibrahimoviq. Sulmuesi i Milanit, që është golashënuesi më i mirë në histori të Suedisë, me 62 gola në 116 ndeshje të luajtura, është kthyer tek ekipi suedez pasi gati pesë vjetësh. E, Zeneli me padurim pret përballjen me Ibrën.

“Përballja kundër Ibrahimoviqit është goxha interesante për mua, sepse e kam lojtarin tim më të favorizuar te Suedia, por gjithashtu edhe tek ekipi im i zemrës, Milani”, ka pranuar Zeneli.

Zeneli do të ketë edhe përballje edhe kundër ish-bashkëlojtarit të tij, Kristofer Olssonit, që e ka pasur te gjeneratat e reja të Suedisë.
“Olsson është lojtari i vetëm i gjeneratës sime që tash është pjesë e ekipit A të Suedisë”, është shprehur Zeneli, që pas duelit me Suedinë fokusin menjëherë do ta ketë të dueli tjetër eliminator kundër Spanjës në udhëtim më 31 mars, në kuadër të Grupit B.