Sport

FFK-ja e pasigurt nëse do t’i ketë tre yjet që luajnë në Francë

Prishtinë, 18 mars – Valon Berisha, Arbër Zeneli dhe Bersant Celina janë ndër futbollistët që së fundi kanë më së shumti paraqitje në klubet e tyre prej lojtarëve të ftuar nga Kosova për ndeshjet e këtij muaji. Por, ardhja e tyre është e pasigurt. Këtë e pranon edhe vetë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në një përgjigje dhënë të enjten për KOHËN. Në përgjigjen e zyrës për media të FFK-së, thuhet se po bëjnë përpjekje maksimale për t’i pasur lojtarët në Prishtinë në ditën e grumbullimit, të hënën. Madje, thonë se për këtë është angazhuar edhe Ambasada e Kosovës në Paris për të gjetur një zgjidhje.

Në fakt, i gjithë ky angazhim ka ardhur pas një komunikate të lëshuar nga klubet e Ligue 1 dhe Ligue 2 të Francës ku thuhet se nuk do të lirojnë lojtarët e huaj për të luajtur me përfaqësueset e tyre për ndeshjet që janë jashtë shteteve të Bashkimit Evropian për shkak të rregullave strikte të karantinës për COVID-19.

E në rast se nuk bëhet një zgjidhje, atëherë ky vendim apo rregulli do ta prekë edhe përfaqësuesen e Kosovës, pasi tre lojtarë kryesorë, Valon Berisha, Arbër Zeneli e Bersant Celina luajnë në Ligue 1 të Francës. Derisa Berisha e Zeneli janë pjesë e skuadrës së Reimsit, Celina aktivizohet te Dijoni.

Kosova fillimisht më 24 mars luan miqësore me Lituaninë, më pastaj ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” e luan në Prishtinë më 28 mars kundër Suedisë përpara se të përballet në udhëtim me Spanjën më 31 mars.

Karantina dyjavore në Francë nis pas ndeshjeve të fundjavës, kur përfaqësueset nacionale evropiane pritet të nisin kampanjën kualifikuese për Botëror. Shumica e përfaqësueseve kanë tri ndeshje.

FIFA ka thënë muajin e kaluar se klubet nuk pritet të lirojnë lojtarët nëse ka “periudhë të detyrueshme të karantinës apo të vetizolimit së paku pesë ditë pas ardhjes” në një shtet ku klubi është i vendosur apo shteti është paraparë të luajë.

Klubet pritet të mos i lirojnë lojtarët nëse ka kufizime të udhëtimeve mes dy shteteve apo nëse leje të veçanta nuk janë liruar për lojtarët nga autoritetet lokale.

Megjithatë, FFK-ja insiston se po e bën të pamundurën për t’i pasur lojtarët në grumbullim për këtë muaj.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me lojtarët, klubet e tyre dhe ambasadën tonë në Paris në tentim për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, në mënyrë që t’i kemi lojtarët në Prishtinë më 22 mars. Ende nuk ka një vendim definitiv për këtë çështje, por po i vazhdojmë përpjekjet tona që lojtarët të jenë në Prishtinë”, thuhet në përgjigjën e FFK-së dhënë KOHËS të enjten.

FFK-ja nuk sqarohet nëse edhe klubet apo shtetet ku luajnë lojtarët e tjerë do t’i kenë të njëjtat telashe që i kanë Berisha, Zeneli dhe Celina. Të tre futbollistët janë pjesë e ekipit bazë të Kosovës.

KOHA ka mësuar nga burime të afërta me futbollistët se deri më tani, as Reimsi e as Dijoni nuk u kanë thënë lojtarëve se nuk kanë të drejtë të udhëtojnë drejt Kosovës për t’u grumbulluar me përfaqësuesen. Por, nuk ka një vendim të prerë.

“Nuk u kanë thënë asgjë lojtarëve, ata po bëhen gati që t’i bashkohen Kosovës, gjithnjë nëse nuk ndryshon nesër diçka. Por, klubi i Reimsit po punon që t’ua plotësojë një dokument lojtarëve që pas kthimit nga Kosova të mos karantinohen”, ka deklaruar një i afërm i njërit prej dy futbollistëve të Reimsit në kushte anonimiteti.

Shkaku i situatës me koronavirus, përkatësisht infektimit me COVID-19, Astrit Selmanit iu pamundësua grumbullimi për herë të parë me Kosovën për ndeshjet e këtij muaji. Njoftimi se shkaku i infektimit nuk ka mundur të grumbullohet me Kosovën dha edhe Herolind Shala.

Marrë për bazë njoftimet dhe raportimet e muajve të fundit, shumica e futbollistëve në listën e përzgjedhësit Bernard Challandes e kanë përfunduar periudhën e infektimit. Pra, e kanë kryer koronavirusin. Por, edhe pse janë shëruar nga koronavirusi, telashet për ta nuk kanë të ndalur për shkak të masave në luftën kundër koronavirusit nga shtetet evropiane.

Në fakt, edhe në ndeshjet e vitit të kaluar Kosova ka pasur telashe të mëdha me koronavirusin, njëjtë si të gjitha përfaqësueset e tjera. Por te Kosova kanë vlerësuar se janë ndier më shumë mungesat. Situata e vitit të kaluar mund t’i përcjellë “Dardanët” edhe këtë vit, meqë shumë shtete ku edhe paraqiten lojtarët kanë masa strikte në luftën ndaj koronavirusit.

Për tri ndeshjet, Kosova ka planifikuar të grumbullohet të hënën, kur edhe Challandesi ka vendosur ta mbajë konferencën për media. Por, edhe në këtë grumbullim janë paralajmëruar masa strikte. Nuk do të ketë prani të shikuesve në stërvitje, ndërsa ato do të lejohen të përcillen nga mediumet vetëm 15 minutat e parë. Edhe në hotel lojtarët do ta kenë të ndaluar t’i presin për vizitë familjarët. Në ndeshje do të jetë numri i limituar i zyrtarëve, i mysafirëve e po ashtu edhe i mediave. Shikues nuk do të ketë.