Sport

Dardan Berisha sërish udhëheq Pejën në cilësinë e trajnerit

Kapiteni Dardan Berisha, do ta udhëheqë KB Pejën në cilësinë e trajnerit edhe në ndeshjen kundër Ponte Prizrenit, ka njoftuar të enjten ekipi pejan.

Peja prej orës 18:00 në palestrën “Karagaçi” do të përballet me Ponte Prizrenin që është lider në tabelë me 39 pikë të mbledhura. Në njoftimin e Pejës thuhet se Berisha edhe në këtë ndeshje do ta udhëheq ekipin, në mungesë të trajnerit Dragan Radoviq dhe ndihmësit Petrit Zeqiri, të cilët ende nuk janë shëruar nga koronavirusin.

Për Berishën, kjo do të jetë ndeshja e dytë në postin e trajnerit pasi ai e udhëhoqi Pejën edhe vikendin e shkuar kundër Rahovecit, kur shtabi teknik i klubit rezultoi pozitiv në testin për koronavirus. “Sot, zhvillojmë ndeshjen e radhës ne Superligën e Kosovës ku do te ndeshemi me ekipin që prinë në tabelë, KB Prizrenin. Ekipi është ende pa trajnerin Radoviq dhe ndihmësin Petrit Zeiqiri dhe do të udhëhiqet edhe sonte nga kapiteni Dardan Berisha”, thuhet në njoftimin e Pejës. KB Peja është në kërkim të fitores së parë pas një serie prej pesë humbjeve rresht.