Sport

Klopp: Lewandowski, më i miri që e kam drejtuar

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka emëruar sulmuesin e Bayern Munichut, Robert Lewandowskin, si lojtarin më të mirë që e ka drejtuar ndonjëherë.

Lewandowski u transferua nga Kloppi sa ai ishte trajner te Borussia Dortmundi në vitin 2010. Së bashku, ata fituan dy tituj të Bundesligës dhe arritën në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2013-t. Polaku më pas u transferua te Bayern Munichu dhe u kthye në njërin prej sulmuesve më të mirë në botë. Ka shënuar 284 gola në 323 paraqitje me kampionin gjerman.

“Robert Lewandowski. Në fakt nuk do të ishte e drejtë të thosha një gjë të tillë për dikë tjetër, përveç Lewyt. Ai e ka nxjerrë më të mirën nga vetja, e ka shtyrë veten për t’u bërë lojtari që është sot, e jashtëzakonshme. Nëse çdo lojtar do të zhvillohej njëjtë si Lewandowski kur unë e pash atë për herë të parë në Lech Poznan, atëherë bota e futbollit do të ishte krejtësisht e çmendur. Lewandowski e ka bërë çdo hap që është dashur ta bëj për t’u bërë makinë e golave, siç është sot. Ai e di saktësisht se çfarë të bëj në çdo situatë”, ka theksuar ndër të tjerash Kloppi për “Sport Bild”.