Sport

Ndeshjen me Trepçën ’89, Batatina e vlerëson si më të rëndësishmen

Skuadra e Llapit fitoi në udhëtim te Besa. Të shtunën në Brestovik të Pejës, llapjanët fituan me rezultatin 4:1 në kuadër të xhiros së 25-të.

Trajnerin Tahir Batatina e ka gëzuar shumë ky trepikësh, e vlerësoi shumë skuadrën e re të Besës, por ka thënë se ndaj Trepçës ’89, do të jetë ndeshja e sezonit. Llapi do të luajë në udhëtim te mitrovicasit në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.

“Dua ta përgëzoj Besën për mbarëvajtjen e kampionatin, duhet vlerësuar edhe pse me të rinj. Ka djem cilësorë, që unë i vlerësoj shumë lartë. Është skuadër solide edhe pse e re. E kemi ditur Besa është pa motiv, por ne i jemi qasur lojës në mënyrën më të mirë të mundshme. Janë shumë pikë të rëndësishme, mirëpo kundër Trepçës ’89 është ndeshja e sezonit. E përfunduam ndeshjen ndaj Besës pa lëndime dhe synojmë të përgatitemi sa më mirë për duelin tjetër”, theksoi Batatina pas ndeshjes.

Llapi pas 25 xhirove zë vendin e shtatë me 30 pikë. Besa është e fundit me 7 pikë.


Krasniqi: Pranuam golat dhe nuk mundëm të ktheheshim

Trajneri i skuadrës pejane, Leotrim Krasniqi, tha pas ndeshjes se llapjanët ishin dukshëm më të mirë, ndërsa të besuarit e tij e patën problem të ktheheshin në lojë pas golave të pësuar.

“Ekipi i Llapit e deshi fitoren më shumë, ishte më kërkues. Ne u munduam të ishim në nivel të lojës, siç e kërkon Superliga. Pranuam golat, u thyem, dhe ishte e vështirë të ktheheshim në lojë. Për penallti nuk dua të flas, nuk e di nëse ishte apo nuk ishte. Nuk dua të flas për referimin. Lojtarët kanë dëshirë të tregohen, por nuk është e lehtë për ta”, theksoi Krasniqi.

Besa është e fundit me shtatë pikë. Nga 25 ndeshje ka shënuar një fitore, 4 barazime dhe 20 disfata.