Sport

Me triumf në Champions, Liverpooli synon ta kompensojë formën e dobët në kampionat

Descriptive Text

Kampioni në fuqi i Anglisë, Liverpooli dha sinjal se ka tejkaluar problemet në Premier League pas kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kalimin në çerekfinale, Liverpooli e konfirmoi me fitoren 2:0 ndaj Leipzigut, ekip që e mposhti dy herë breda tri javësh në Budapest të Hungarisë. Pas një serie të mjerë prej gjashtë humbjeve në “Anfield Road” që edhe është rekord negativ, futbollistët e trajnerit Juergen Klopp e kanë mirëpritur kthimin në kryeqytetin hungarez për ndeshjen e tyre “në shtëpi” në kuadër të 1/8 së finales. E pikërisht triumfi në Ligën e Kampionëve këtë edicion është tani fokusi i Liverpoolit. Te klubi anglez janë të bindur se vetëm në këtë mënyrë mund ta shpëtojnë sezonin e dobët në Premier League pas lëndimeve të shumta dhe rënies drastike të formës pasi edicionin e shkuar e fituan titullin e kampionit pas një pritjeje prej 30 vjetësh. Me një boshllëk prej shtatë pikësh për të kompensuar ndaj Chelseat të ringjallur që zë vendin e katërt në tabelë pse deficiti prej dhjetë pikësh në vendin e tretë që e mbanë Leicesteri në dhjetë ndeshjet e fundit të këtij sezoni, një kthim në Ligën e Kampionëve përmes katër pozitave të para në kampionat po duket gjithnjë e më e vështirë. Në vend të kësaj, kampionit të Anglisë mund t'i duhet të fitoj trofeun e shtatë të Evropës vetëm për të shmangur mospjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm, që do të ishte hera e parë brenda pesë edicioneve.

“Arsyeja e vetme për të luajtur në Ligën e Kampionëve është sepse dëshiron ta fitosh atë”, ka pranuar Klopp. “Unë nuk jam budalla, ne e dimë deri më tani se ky nuk është një sezon që do të duket sikur ne do të fitojmë Ligën e Kampionëve në fund të fundit, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duam të shkojmë sa më larg dhe pastaj do të shohim se çfarë është e mundur për ne”.

Liverpool ka histori në bërjen e mrekullive evropiane nga sezonet në dukje të humbura. Në vitin e parë të Rafael Benitezit në krye të ekipit në sezonin 2004/05, Liverpooli e përfundoi kampionatin në nivel të pikëve me Boltonin që ishte në pozitën e pestë. Megjithatë, ata arritën rikthimin më të madh të parë ndonjëherë në një finale të Ligës së Kampionëve kur nga disavatazhi 3:0 në pjesën e parë, arritën ta mposhtin Milanin pas penalltive në Stamboll. Kryeqyteti turk do të presë finalen përsëri këtë vit dhe kishte të paktën disa shenja të mërkurën për një Liverpool të vjetër. Lëndimet afatgjata të Virgil Van Dijkut, Joe Gomezit dhe Joel Matipit kanë bërë që mesfushorët Fabinho dhe Jordan Henderson të kenë kaluar pjesën më të madhe të sezonit duke luajtur si qendërmbrojtës. Sidoqoftë, Fabinho u kthye në rolin e tij të natyrshëm në mesfushë dhe duke siguruar mbrojtjen e nevojshme që Nat Phillips të shkëlqejë në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve në zemër të mbrojtjes së Liverpooli.

“Unë i thashë atij para lojës së duhet të më dëshmoj se është një mbrojtës perspektiv. Sigurisht, ai këtë e dëshmoi dhe mund të them se ai është më i mirë në atë pozitë”, pranoi Klopp.

Kthimi i Fabinhos në mesfushë çliroi gjithashtu Thiago Alcantaran për të treguar aftësitë që e bënë spanjollin një transferim kaq të çmuar nga Bayern Munichu në muajin shtator të vitit të shkuar. Përpara, në repartin e sulmit, kthimi i Diogo Jotas nga dëmtimi shtoi një shpërthim të ri energjie, ndërsa ashtu si në ndeshjen e parë, Mohamed Salah dhe Sadio Mane shënuan golat për të parë ekipin gjysmëfinalist të sezonit të kaluar që të kualifikohet me lehtësi në çerekfinale të këtij edicioni.

“Gjëja më e mirë që bëmë është kualifikimi në çerekfinale pasi arritëm të eliminojmë një ekip të fortë si Leipzigu. Nuk ishte aspak lehtë por ia dolëm mbanë dhe shpresoj të mos ndalemi deri në fund”, ka insistuar Klopp. “Tani, na pret puna e vështirë dhe besoj se ekipi do të jetë i gatshëm për ta dëshmuar veten”.

Për më pak se një muaj, do të nis edhe raundi i ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe ka mjaftueshëm kohë që Liverpooli të rigjejë formën e tij për të paralajmëruar triumfin në këtë garë. Edhe sulmuesi i Liverpoolit, egjiptiani Salah ka pranuar se synim mbetet triumfi në Champions pas formës së dobët që ekipi ka treguar në Premier League. Pas 28 ndeshjeve të luajtura deri më tani në kampionatin anglez, Liverpooli zë vendin e tetë në tabelë me 43 pikë të grumbulluara. Ndërkohë, lider në Premier League është Manchester City që ka 68 pikë.

“Suksesi në Ligën e Kampionëve do të ishte më se i mirëseardhur këtë edicion. Në rast të triumfit në këtë garë, atëherë do të mund të shpëtonim sezonin tonë”, është shprehur Salah.

Krahas Liverpoolit, deri më tani në çerekfinale të Ligës së Kampionëve janë kualifikuar edhe tri skuadra tjera: Paris Saint-Germaini, Borussia Dortmundi dhe Porto.