Sport

Berisha e Zeneli rrezikojnë karantinimin nëse i bashkohen Kosovës

Descriptive Text

Dy prej futbollistëve të formacionit bazë të Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha e Arbër Zeneli, rrezikojnë karantinimin prej shtatë ditëve nëse u bashkohen “Dardanëve” për ndeshjet e këtij muaji.

E pikërisht karantinimi i këtyre dy futbollistëve kur të kthehen në Francë pas grumbullimit me Kosovën, po e shqetëson trajnerin e skuadrës së Reimsit, David Guion, kanë shkruar mediumet franceze të mërkurën. Guion ka pranuar se do të dëshironte që futbollistët e tij të mos bashkohen me përfaqësueset e tyre për datat e lira të FIFA-s, sepse mund të ketë mungesa të shumta për ndeshjen kampionale kundër Rennesit, që zhvillohet më 4 prill.

Në fakt dhjetë futbollistë të Reimsit rrezikojnë karantinimin prej shtatë ditëve nëse u përgjigjen ftesave të përfaqësueseve të tyre. Prej datës 18 mars Qeveria e Francës fut në fuqi masat e reja për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit.

Dhe në kuadër të këtyre masave të gjithë udhëtarët që futen në Francë nga shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian duhet patjetër të karantinohen për shtatë ditë. Këtu nuk bëjnë përjashtim as sportistët.

Ligue 1 ka shikuar mundësinë për ta shtyrë xhiron e 31-të, që është e paraparë të zhvillohet më 3 dhe 4 prill, por e ka të pamundur për shkak të orarit të stërngarkuar të ndeshjeve. Kështu që, Reimsi është njëri prej disa klubeve të prekura nga ky problem dhe trajneri i Reimsit po shpreson te FIFA që të gjejë një zgjidhje për ta rregulluar këtë çështje, siç e ka quajtur ai delikate.

“Ne tashmë kemi filluar të flasim për këtë çështje me futbollistët. Është një çështje delikate dhe për këtë arsye tashmë lojtarët i kemi njoftuar për situatën”, është shprehur Guion. “Unë nuk dua që lojtarët të largohen, sepse nuk mund t’i përdori ata për ndeshjen kampionale kundër Reimsit, të cilën e kemi menjëherë pas dueleve ndërkombëtare. Kështu që ne do të shikojmë kah FIFA me shpresën që do ta rregullojë këtë çështje”.

Te Përfaqësuesja e Kosovës llogarisin në të gjithë futbollistët, përfshirë edhe Berishën e Zenelin të Reimsit. Berisha e Zeneli rregullisht ftohen nga përzgjedhësi Bernard Challandes. Kosova do të grumbullohet më 22 mars dhe brenda këtij muaji do t’i luajë tri ndeshje, një miqësore dhe dy në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”.

Më 24 mars, Kosova do të luajë miqësoren kundër Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dy ditë më vonë, në të njëjtin stadium, Kosova do ta nisë kampanjën për Botërorin e vitit të ardhshëm kundër Suedisë përpara se të jetë mysafire e Spanjës më datën 31 mars. Kosova edhe vitin e shkuar ka pasur telashe të tilla me futbollistët, të cilët nuk kanë mundur të jenë pjesë e ekipit për shkak se rrezikonin karantinimin kur do të ktheheshin pas grumbullimit me “Dardanët”.

Menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka zbuluar se janë në bisedime me të gjitha klubet për t’u siguruar që futbollistëve të përfshirë në listën e Challandesit të mos u paraqiten telashe pas kthimit nga grumbullimi. Challandes pritet që brenda kësaj jave ta publikojë listën e tij për ndeshjet e këtij muaji. Shala ka insistuar se tani për tani përzgjedhësi Challandes llogarit në të gjithë lojtarët.

“Aktualisht i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Pra llogaritim në të gjithë lojtarët edhe pse situata mund të ndryshojë, duke pasur parasysh se asgjë nuk është në dorën tonë. Jemi në një kohë kur mund të ndodhë e papritura në çdo moment. Mirëpo për momentin nuk presim të kemi ndonjë telashe dhe besojmë se të gjithë lojtarët që do të ftohen do të jenë të gjendje të grumbullohen dhe të mos kenë telashe kur të kthehen nëpër ekipet e tyre”, është shprehur Shala. “Ne ka kohë që po flasim me të gjitha klubet, përfshirë këtu edhe Reimsin dhe do të vazhdojmë të bëjmë një gjë të tillë për t’u siguruar se ata nuk do të detyrohen që të karantinohen kur të kthehen”.

Berisha këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka bërë tri asistime në 25 paraqitje për Reimsin në të gjitha garat derisa Zeneli ka kontribuar me tre gola e katër asistime në 23 ndeshje të zhvilluara.

Berisha është pjesë e Kosovës prej vitit 2016 dhe deri më tani ka tre gola në 26 paraqitje me “Dardanët”. Edhe Zeneli ka debutuar me Kosovën në vitin 2016, duke shënuar shtatë gola në 22 ndeshje të luajtura.