Sport

Nedim Bajrami për KOHËN: Shqipërinë e zgjodha me zemër

Prishtinë, 9 mars – Nedim Bajrami të martën ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm në karrierë. Një që ka gëzuar shumë shqiptarë.

Tetovari 22-vjeçar, i rritur në Zvicër, hoqi dorë nga paraqitja në Evropianin U-21 me shtetin helvetik për ta përfaqësuar Shqipërinë. Vendimi i Bajramit u përcoll me bujë të madhe.

Futbollisti i Empolit, të martën për KOHËN ka thënë se Shqipërinë e ka zgjedhur me zemër. Madje thotë se është i lumtur që ka vendosur ta përfaqësojë shtetin shqiptar.

“Unë kam luajtur në të gjitha grupmoshat për Zvicrën dhe ishte momenti të vendosja se a të shkoja të luaja për Zvicrën U-21 në Evropian apo për ekipin e parë të Shqipërisë. Kam biseduar me menaxherin, Erdin Shaqiri, familjen time dhe në fund të fundit e mora vendimin vetë. E kam dëgjuar zemrën. E ndjeva veten më shumë që të luaja për Shqipërinë dhe në fund e kam marrë këtë vendim. Jam shumë i lumtur që kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë”, ka thënë Bajrami për KOHËN.

Bajrami vendimin për të mos qenë pjesë e ekipit U-21 të Zvicrës e ka marrë pak ditë para se të luhen ndeshjet e fazës së grupeve të Evropianit. Evropiani për lojtarët 21-vjeç nis më 24 mars me ndeshjet e grupeve, ndërsa nga 31 maji deri më 6 qershor zhvillohet faza e nokautit.

Mesfushori që ka vlerën e 4 milionë eurove në tregun e transferimeve ishte pjesë e rëndësishme e kualifikimit të Zvicrës në Evropian. Ai vlerësohej e ardhmja e përfaqësueses A të Zvicrës.

Përzgjedhësi i Shpresave të Zvicrës, Mauro Lustrinelli, ka thënë se janë munduar ta bindin Bajramin të mbetet pjesë e Zvicrës, por, sipas tij, Bajrami ka qenë i vendosur ta përfaqësojë Shqipërinë. Bisedën me drejtuesit e Shpresave të Zvicrës e konfirmon edhe lojtari ofensiv. Por ai insiston se edhe po të kishte rastin të ftohej nga përfaqësuesja A zvicerane, nuk do ta ndërronte mendimin. Madje vendimin e cilëson si hap të duhur dhe të madh.

“Kemi biseduar, por më shumë e kam ndarë mendjen, e kam dëgjuar zemrën dhe u thashë për Shqipërinë. Edhe po të vinte Zvicra, unë isha i vendosur të luaja për Shqipërinë. Kam pasur kohë dhe kam menduar, por besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë që kam shkuar te Shqipëria, sepse në fund të fundit e ndiej veten shqiptar. Kam bërë hapin e duhur dhe është hap i madh për mua. Jam i ri dhe jam krenar që do ta kem mundësinë të luaj për Shqipërinë. Niveli i Shqipërisë është rritur”, ka thënë Bajrami.

Për t’u kompletuar kalimi te kuqezinjtë, Bajramit i ka mbetur të pajiset vetëm edhe me pasaportë të Shqipërisë.

Ai shpreson që dokumentacioni të jetë gati dhe debutimin për Shqipërinë ta bëjë qysh në grumbullimin e këtij muaji.

Shqipëria më 25 mars e nis ciklin kualifikues për botëror kundër Andorrës në udhëtim, ndërsa më 28 mars e pret Anglinë në Tiranë. Më 31 mars Shqipëria luan miqësore ndaj San Marinos.

“Ka mundësi që të luaj për Shqipërinë këtë muaj. Kam biseduar edhe me Amir Abrashin dhe Arlind Ajetin, me të cilët kam luajtur dhe i njoh goxha mirë edhe nga afër. Më ka mbetur vetëm pasaporta. Unë jam gati të luaj për Shqipërinë ”, është shprehur Bajrami, që ka qenë pjesë e rëndësishme edhe për grumposhat e tjera të Zvicrës.

Ai i është falënderues Zvicrës për mundësinë, por thotë se planet e mëdha i ka me Shqipërinë.

“Pjesëmarrja në Evropian apo Botëror është edhe qëllimi apo ëndrra ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Bajrami.

Bajrami u lind në Tetovë, ndërsa është rritur në Zvicër. Ai karrierën si senior e nisi te U-21 i Grasshopperit, ndërsa për ekipin e parë debutoi në shkurt të vitit 2017, kur edhe fitoi kontratën profesioniste. Nga Grasshopperi u huazua në vitin 2019 te Empoli. Pas bindi me paraqitjet e tij, italianët blenë kartonin e tij. Me Empolin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Ai këtë edicion në Serie B të Italisë, në 25 ndeshje ka shënuar tri gola dhe ka asistuar shtatë herë.

Empoli është lider i Serie B me 50 pikë dhe është në rrugë të mbarë për t’u ngritur në Serie A. Bajrami thekson se të mirat e tij këtë vit do të kompletoheshin nëse me Empolin do ta siguronte ngritjen në Serie A, gjë për të cilën ka goxha besim.

“Edhe me Empolin më ka ecur mirë, jemi në vendin e parë, por duhet të vazhdojmë kështu për t’u ngritur në Serie A. Të fitoj kampionatin në Serie B dhe të ngjitemi në Serie A si lojtar i ri, është ëndërr që pres të bëhet realitet. Do të ishte e jashtëzakonshme. Aktualisht jam në Empoli, për të tjerat vendos menaxheri im”, ka thënë Bajrami.