Sport

Transferimi i plotë te Zuerichu, shpërblim për shkëlqimin e menjëhershëm të Alitit

Descriptive Text

Prishtinë, 9 mars – Qendërmbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, më 10 tetor ishte huazuar nga Kalmari suedez te Zuerichu, ekipi zviceran që të martën ka shfrytëzuar opsionin e blerjes së kartonit të tij. Madje Zuerichu ka vendosur për të shfrytëzuar opsionin e blerjes së kartonit të Alitit para kohës, pa përfunduar edicioni aktual.

Saktësisht një ditë pa i bërë pesë muaj te Zuerichu, ekipi elitar i Zvicrës ka kompletuar transferimin e Alitit, i cili ka firmosur kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2023. Detajet e tjera të marrëveshjes nuk janë publikuar, por te Zuerichu janë shprehur të kënaqur që kanë siguruar shërbimet e Alitit edhe për dy vjet të tjerë.

Ishin paraqitjet e mira të Alitit prejse iu bashkua Zuerichut ato që detyruan drejtuesit e klubit që të shfrytëzojnë opsionin e blerjes së kartonit të tij nga Kalmari. Aliti është lojtari me minutazhën më të madhe këtë edicion, jo vetëm te Zuerichu, por në të gjithë elitën zvicerane. Ka 21 paraqitje dhe një gol të realizuar për Zuerichun, ekip për të cilin ka qenë i pazëvendësueshëm në 20 ndeshje. Vetëm në njërën prej tyre, Aliti ishte zëvendësuar në minutën e 86-të derisa të tjerat i ka luajtur për 90 minuta.

“Prejse është bashkuar me Zuerichun, Fidani ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në stabilizimin e mbrojtjes sonë. Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm i ekipit dhe bind me pasionin e tij dhe paraqitjet e mira vazhdimisht. Ne jemi të kënaqur që ai do të mbetet një pjesë e rëndësishme e ekipit tonë në të ardhmen”, ka thënë Marinko Jurendiq, drejtori sportiv i Zuerichut.

Aliti për KOHËN ka thënë se është shumë i lumtur që me paraqitjet e tij ka bindur drejtuesit e Zuerichut për ta mbajtur. Ai ka zbuluar se kishte oferta edhe prej skuadrave të tjera, por ka pranuar se mbetja te Zuerichu ishte primare për të. Madje, firmosjen e kontratës me Zuerichun e ka quajtur si hap para në karrierë.

“Me kalimin te Zuerichu, unë jam kthyer në shtëpi, pasi këtu jam i lindur dhe jam rritur. Për mua mbetja te Zuerichu është një hap para në karrierë. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e këtij ekipi, pasi kam besuar se do të bindi me paraqitjet e mia. Prej huazimit nga Kalmari mund të them se te Zuerichu kam pasur një sezon shumë të mirë deri më tani. I kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe jam titullar, gjë që është shumë e rëndësishme për një futbollist. Ka pasur interesim edhe prej ekipeve të tjera, por për mua opsioni i parë ishte qëndrimi te Zuerichu”, është shprehur Aliti 27-vjeçar.

“Nuk kam besuar se do të adaptohem kaq shpejt dhe do të luaj kaq shumë ndeshje, por me punë dhe angazhim i kam arritur. Tani shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm dhe ta shpërblej besimin e klubit që pati në mua”.

Aliti beson se do të vazhdojë me paraqitje të mira me Zuerichun dhe do ta ndihmojë klubin në arritjen e objektivave që i ka për këtë sezon. Sipas tij, synimi i Zuerichut është që edicionin ta mbyllë në katër pozitat e para në tabelë. Aktualisht Zuerichu është i katërti me 32 pikë të tubuara pas 24 xhirove të zhvilluara këtë edicion.

“Dua të vazhdojë me paraqitje të mira dhe të kontribuoj në arritjen e synimeve që i kemi këtë edicion. Duam që të jemi në mesin e katër ekipeve të para edhe pse nuk do të jetë lehtë, pasi të gjitha ekipet janë të forta”, tha Aliti, i cili ka edhe 29 paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës.

Aliti si futbollist është zhvilluar në Zvicër te skuadra e Young Boysit, kurse karrierë ka bërë edhe te Luzerni, Sheriff Tiraspoli, Slaven Belupo e Skënderbeu.