Sport

Përgatitjet e hendbollistëve me selektor të ri

Obiliq, 7 mars - Bujar Qerimi ka pak ditë që ka nisur punën me hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës. Selektori i ri i Kosovës, pranon se gjasat nuk janë të mëdha për sukses në këtë cikël kualifikues për “Euro 2022”. Por, megjithatë, Qerimi është i bindur se angazhimi nga hendbollistët nuk do të mungojë.

Debutimin në krye të Përfaqësueses si selektor, Qerimi do ta bëjë pas tri ditësh. Të mërkurën Kosova e pret në Prishtinë Përfaqësuesen e Rumanisë.

Me të njëjtën përfaqësuese hendbollistët e Kosovës luajnë edhe më 14 mars në Bukuresht. Janë këto ndeshjet e radhës në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Evropianin 2022.

Kosova i ka humbur dy ndeshjet e para, nga Mali i Zi dhe Suedia, ndërsa e presin dy ndeshje të tjera të vështira.

“Puna është duke ecur si duhet, ashtu siç e kam menduar, mirëpo kemi disa probleme të vogla me disa lëndime e po ashtu edhe pandemia që na ka sjellë probleme, pasi hendbollistët nuk kanë stërvitur shumë dhe si duhet. Si pasoj e kësaj kanë edhe disa lëndime të vogla. Po mundohemi t’i pushojmë për të qenë të mërkurën të gatshëm t’i bëjnë ballë ose më mirë të themi të bëjnë një lojë më të mirë të mundshme sepse përballë kemi një shtet i cili hendbollin e ka një ndër sportet më të mira. Do të mundohemi të arrijmë atë që dimë dhe çka mundemi. Lojtarët janë të vetëdijshëm se duhet të japim më shumë se që pritet prej tyre për të nxjerrë një rezultat pozitiv”, ka thënë Qerimi.

Qerimi e zëvendësoi në postin e selektorit Taip Ramadanin, që jeton në Australi. Ramadani e kishte të pamundur udhëtimin për në Kosovë shkaku i situatës me koronavirus. Ramadanin e zëvendësoi për ndeshjet e nëntorit trajneri spanjoll, Javier Cabanas. Tani Qerimi është zgjedhur selektor. Ai është prej emrave më të mëdhenj të hendbollit kosovar. Ishte lojtar i Borcit të famshëm të Ferizajt.

“Synimi im imediat është të stabilizoj këtë ekip për të bërë të mundur që në një afat të shkurtër ta bëjmë edhe një shkallë më lartë se aty ku e ka lënë Taip Ramadani. Pres që grupi i ekipit të jetë edhe më shumë i afruar në mënyrë që të krijojmë një grup që do të luftojë çdo herë në terren për t'u rritur edhe për një hap tutje përveç atyre fitoreve. Me Poloninë kemi luajtur baras, Izraelin e kemi mposhtur e pse në një të ardhme edhe ndonjë shtet më të fortë mos t'ia marrim pikët në vendin tonë”, ka theksuar trajneri Qerimi.

Kosova ishte takuar me Rumaninë në eliminatoret e para të saj, ato për Evropianin 2018. Si vendëse, Rumania kishte fituar 36:24, kurse ndeshja në Prishtinë u mbyll me shifrat 30:16. Ndeshjet ishin luajtur në vitin 2014.

Në janar të vitit të kaluar, Kosova pësoi tjetër humbje të thellë nga Rumania, 32:21. Ndeshja ishte luajtur në Benevento të Italisë në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2021. Kosova kishte përfunduar e dyta në grup, pas Rumanisë. Në atë ndeshje Kosovës i munguan disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të virusit.

“Brumi që kemi këtu në Kosovë duhet të kombinohet me lojtarë që janë rritur dhe bëjnë karrierë jashtë vendit. Duhet të përfitojmë disa lojtarë. Qëllimi im është të rris numrin e lojtarëve. Por, më duhet pak kohë për t'i njohur nga afër, të mbledhim disa lojtarë të rinj që luajnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe që kanë kapacitet. Më duhet të bëj një grup prej 25 lojtarëve, sepse mund të kemi lëndime të lojtarëve, probleme të udhëtimit dhe ndonjë problem tjetër. Prandaj na duhet të krijojmë një grup lojtarësh prej 20 deri 25, normal me 16 më të mirët të funksionojmë, mirëpo të rrisim më shumë fondin e lojtarëve”, është shprehur Qerimi.

Qerimi do të llogaritë në emra të konfirmuar të hendbollit kosovar, ndërsa ka ftuar kryesisht lojtarë të klubeve të Kosovës, Besa Famgasit, Prishtinës dhe Kastriotit. Besa prezantohet me pesë lojtarë, Prishtina me katër, ndërsa nga Kastrioti është ftuar Festim Mustafa. Ka edhe lojtarë që karrierë bëjnë në Zvicër, Kroaci, Suedi dhe në Gjermani.

Edhe hendbollistët vlerësojnë se grupi aktual është shumë i fortë dhe secila pikë e fituar, sipas tyre, do të ishte e madhe për Kosovën.

“Stërvitjet po shkojnë mirë. Gjithmonë them se në Kosovë nuk i frikësohem askujt, sepse luajmë një hendboll të mirë, por Rumania është e fuqishme në hendboll. Besoj se të mërkurën do të jetë një ndeshje e mirë dhe e fortë dhe gjasat i kemi për fitore”, është shprehur kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj.

Ndërkohë, njëjtë thotë edhe portieri Haris Berisha.

“Gjithmonë hyjmë për fitore edhe pse përballë kemi një kundërshtare të fortë siç është Rumania. Po përgatitemi mjaftueshëm, kemi luajtur me ata, gjë që na ndihmon të bëjmë një analizë shumë të mirë ndaj Rumanisë. Shpresojmë të paraqitemi me dinjitet kundër Rumanisë”, ka thënë Berisha.

Më 28 prill Kosova e pret Malin e Zi, ndërsa eliminatoret i mbyll më 2 maj në udhëtim ndaj Suedisë. Suedia është nënkampione e botës. Për Kosovën vlerësohet sukses paraqitja në fazën e dytë kualifikuese, së bashku me përfaqësueset më të mëdha evropiane. Kjo vlerësohet se dëshmon rritjen e ekipit të Kosovës.

Stërvitja e së dielës mbrëma e Përfaqësueses së Kosovës u zhvillua në palestrën në Obiliq.